E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surpriza rumune e Rusise

Në të njëjtën ditë, më 16 shkurt edhe presidenti, edhe nënpresidenti i kompanisë së madhe shtetërore ruse të gazit, Gazprom, zbarkuan në Ballkanin Lindor, njëri në Bullgari dhe tjetri në Rumani. Ishte një lëvizje e karakterit strategjik, që kishte të bënte me përcaktimin e portës hyrëse të projektit të madh të gazsjellësit rus "South Stream", 'Rryma e Jugut', që do të çojë gazin nga Rusia, nëpër shtratin e Detit të Zi, në Ballkanin Lindor, me dy degëzime, njëri për në Greqi e tjetri për në Serbi, dhe pastaj të dy degëzimet për në Europë. Deri tani, porta hyrëse e gazsjellësit rus ishte planifikuar Bullgaria dhe konkretisht porti i Varnës, dhe për këtë janë nënshkruar në vitin 2008 edhe marrëveshjet përkatëse, madje në nivelet më të larta shtetërore, mes presidentëve të Rusisë dhe të Bullgarisë.
Por, befas vjen surpriza rumune e Rusisë, e cila kumton një portë të re hyrëse për gazsjellësin rus. Në komunikatën e botuar nga Gazpromi, pas bisedimeve të nënpresidentit Aleksandër Medvedev me ministrin rumun të Ekonomisë dhe të Tregtisë, Adriean Videanu, njoftohet se "Pala rumune konfirmoi interesin për pjesëmarrje në projektin "South Stream" dhe i dorëzoi palës ruse të dhënat e kërkuara më parë për të përgatitur një studim për një kalim të mundshëm të gazsjellësit nëpër Rumani". Burime diplomatike nga Bukureshti bëjnë të ditur se bisedimet e mësipërme ruso-rumune mund të konsiderohen si pranimi zyrtar i ofertës së Moskës për të ofruar territorin rumun si porta hyrëse e gazsjellësit rus në Ballkan.
Me një fjalë, surpriza rumune e Rusisë është zëvendësimi i Bullgarisë me Rumaninë, si stacioni i parë tokësor i gazsjellësit që do të vijë nga shtrati i Detit të Zi.
Kjo lëvizje është një zhvillim i ri dhe shkon përtej aspekteve teknike apo llogarive aritmetike, aq më tepër se në gjithë vizatimet e deritanishme, të shndërruara edhe në marrëveshje shtetërore, porta hyrëse është Bullgaria. është një lëvizje në dimension gjeopolitik, që zbulon mënyrën si se Rusia po zbaton në terrenin ballkanik strategjinë dhe diplomacinë e saj të energjisë dhe të fuqisë.
Një nga tiparet karakteristike dhe kryesore të politikës energjetike ruse është realizimi i projekteve të tranzitimit dhe të furnizimit të gazit rus në territoret e atyre shteteve, të cilat nuk paraqesin rezerva ndaj rolit dhe influencës së Rusisë. Për këtë shkak ne shohim një paqëndrueshmëri të madhe të projekteve energjetike ruse, të cilat spostohen vazhdimisht nga pikëpamja gjeografike. Për të shmangur Ukrainën, e cila është tani për tani tranzituesi kryesor i gazit rus për në Europë, dhe e cila pas revolucionit demokratik të portokalltë kërkonte kushte më të barabarta dhe proporcione fitimi më të drejta, Rusia nisi projektet për të mënjanuar Ukrainën si shtet tranzitimi. Kështu lindi projekti "North Stream", për të furnizuar gazin rus nëpërmjet Detit Baltik në Gjermani, Po kështu për të shmangur kalimin e gazit rus me anije nëpër ngushticën turke të Bosforit, e cila kërkonte edhe taksat përkatëse, por edhe nënshtrimin, me dashje apo pa dashje, ndaj një kontrolli turk mbi transportin e gazit rus, Moska projektoi gazsjellësin "South Stream", me portë hyrëse Bullgarinë.
Tani Moska është e pakënaqur me Bullgarinë, me qeverinë dhe politikën bullgare dhe planifikon ta spostojë atë, duke e zëvendësuar me Rumaninë si portë hyrëse të gazsjellësit rus. Ky zhvillim sjell një provë të re se Moska nuk është një partner energjetik i besueshëm, sepse i ndërron kushtet, kuotat, projektet dhe partnerët, sipas interesave të saj politike, edhe pasi janë nënshkruar marrëveshjet dhe është vulosur projekti i kalimit nga Bullgaria. Moska e shoqëron projektin energjetik me kushte të pafavorshme për partnerët, të cilët kanë nevojë për gazin e saj, dhe çdo kërkesë për rishikimin e kushteve, jo vetëm nuk merret në konsideratë, por fillohet dhe ushtrohet presion, deri në formën e ndryshimit të projektit, për të cilin është nënshkruar edhe marrëveshje shtetërore.
Qeveria e kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, nuk ka kundërshtuar pjesëmarrjen e Bullgarisë në projektin "South Stream", madje që në fillim, kur erdhi në fuqi korrikun e vitit të kaluar, shprehu përkrahje për këtë projekt, ndërsa kishte rezerva për dy projekte të tjera energjetike ruse, si naftësjellësi Varna- Aleksandropullos dhe centrali bërthamor, që rusët donin të ndërtonin në Bullgari. Dy kërkesat e drejta, që ka bërë qeveria bullgare lidhur me gazin janë; së pari, që kontratat ruse të gazit të lidhen direkt me shtetin bullgar, dhe jo me firmat ndërmjetëse, që Gazpromi rus ka krijuar në Bullgari, sepse kjo i kushton më shumë konsumatorit bullgar dhe krijon rritje artificiale të çmimit për të dhe të fitimit për Gazpromin. Së dyti, Bullgaria ka kërkuar rritjen e taksës, që Gazpromi paguan për tranzitimin e tanishëm të gazit rus nga Bullgaria në Greqi, Turqi dhe në Maqedoni, taksë që është shumë më e vogël, se ajo që Rusia i paguan Ukrainës.
Kërkesave të paraqitura në rrugë diplomatike nga qeveria bullgare, kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin iu përgjigj në shtator të vitit 2009 me paralajmërimin kërcënues, drejtuar kryeministrit Borisov, se Rusia mund të kërkojë rrugë tjetër për hyrjen e "South Stream-it".
Dhe tani shihet se paralajmërimi i kryeministrit të Rusisë po bëhet realitet, dhe oferta e Rusisë e pranimi i Rumanisë, kanë marrë formën e shkëmbimit të dokumenteve dhe të të dhënave zyrtare për ndërtimin e gazsjellësit rus në Rumani. Bisedimet dypalëshe kanë shkuar më tej, duke diskutuar jo vetëm çështjet e tranzitimit të gazit rus nëpër territorin e Rumanisë, por edhe për ndërtimin e depozitave të mëdha nëntokësore të gazit rus në Rumani .
Rolin e ri kryesor, që Rumania po merr në politikën energjetike ruse në Ballkan, e konfirmoi edhe nënpresidenti i Gazpromit, A.Medvedev, pas bisedimeve në Bukuresht, kur deklaroi se "Marrëdhëniet me Rumaninë në sektorin e energjisë, konsiderohen nga Rusia si strategjike. Rumania ka një pozicion të mrekullueshëm strategjik në Detin e Zi dhe mund të jetë pikënisja për sektorin europian të gazsjellësit".
Gazpromi shpall kështu hapur planin e spostimit të Bullgarisë nga Rumania, duke zbuluar se Rumania është bashkuar me planin rus. Në këtë mënyrë politika energjetike e Rusisë evidentohet si një politikë e lidhur ngushtë me interesat e ruajtjes së dominimit energjetik dhe të përpjekjeve për pranimin e influencës ruse në rajonin e Ballkanit.
Kjo politikë energjetike ruse manifeston si një tipar të saj karakterin diversionist kundrejt shteteve, që ka zgjedhur të bëjë partnerë në bashkëpunim tregtar, financiar, energjetik, apo në projektet e gazsjellësve. Në këtë rast shohim qartë përpjekjen ruse për të bërë diversion mes dy shteteve ballkanike fqinj, Bullgarisë dhe Rumanisë, të dyja anëtare të Bashkimit Europian dhe të NATO-s. është e natyrshme se spostimi i portës hyrëse të gazsjellësit rus nga Bullgaria në Rumani krijon një krisje edhe në marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve fqinj. Sepse pranimi i Bukureshtit për ofertën ruse e dobëson pozitën biseduese të Bullgarisë në tratativat e saj me Rusinë, për çështjen e rishikimit të kushteve të pafavorshme të marrëveshjeve për gazin.
Nëse Rumania nuk do të pranonte ofertën ruse, kuptohet se Rusia do të ishte e detyruar të niste bisedimet për diskutimin e kushteve të marrëveshjeve ruso-bullgare. Në Detin e Zi ajo ka vetëm dy alternativa, Bullgarinë dhe Rumaninë. Kurse tani Rusia nuk pranon kërkesat bullgare, sepse, duke pasur alternativën e brigjeve rumune, ajo neglizhon qeverinë bullgare dhe Bullgarinë. Qëndrimi rumun bëhet edhe më i pakuptueshëm për bullgarët në dritën e faktit që Rumania nuk është shtet, që varet nga gazi rus, sepse ajo është prodhuesja më e madhe e gazit në Europën Qendrore dhe Lindore.
Politika energjetike ruse ndaj dy shteteve të Ballkanit Lindor, anëtarë të BE dhe të NATO-s, është një goditje edhe për politikën energjetike të BE-së, sepse përplasja rumuno-bullgare e krijuar nga politika ruse, do ta bëjë më të vështirë unifikimin e politikës energjetike të BE-së. Do ta bëjë edhe më të vështirë edhe kohezionin e politikës ballkanike të BE-së, si dhe qëndrimit e saj unik ndaj penetrimit rus në gadishullin e Ballkanit.
Diversioni që ndërmerr Rusia në Ballkanin Lindor, nuk mund të mos shtyjë të shohësh një mospërputhje të interesave kombëtare mes dy shteteve anëtare të BE-së dhe të NATO-s, në një segment strategjik siç është energjia. Ky është një zhvillim i rëndësishëm, ndoshta i mjaftueshëm për t'u kthjelluar mendjet disa kozmopolitëve ruralë në anën perëndimore të Ballkanit, të cilët mendojnë se interesat kombëtare janë një relike për muzetë historikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›