E Shtunë, 31 Tetor 2026

EURALIUS, OPDAT, “ok” për heqjen e imunitetit të prokurorëve



Miklau: Projektligji për “Prokurorinë”, rezultati i mirë

Prokurorët tërhiqen nga neni për heqjen e imunitetit

EURALIUS e OPDAT janë dakord për heqjen e imunitetit të prokurorëve. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga burime të besueshme pranë këtyre dy misioneve, të cilat kanë dhënë asistencën e tyre në Ministrinë e Drejtësisë për përgatitjen e dy projektligjeve, konkretisht atë për “Administratën Gjyqësore” dhe për “Prokurorinë”. Ndërkohë, mesazhe pozitive për projektligjin për prokurorët janë duke ardhur edhe nga vetë prokurorët, të cilët mësohet të jenë tërhequr në pikën, ku kërkohet heqja e imunitetit për ta. Të pyetur mbi heqjen e imunitetit, disa prokurorë e konsiderojnë diçka të drejtë, pasi janë pikërisht ata që e dinë më mirë se kushdo çdo të thotë të hetosh një person me imunitet dhe të vuash nga një institucion në tjetrin me kërkesa të ndryshme për t’i hequr imunitetin dhe për të vijuar procedimin penal. Por, jo të gjithë prokurorët e kanë menduar njëlloj nenin ku thuhet për heqjen e imunitetit të prokurorëve, ndaj dhe sipas shefit të misionit EURALIUS, mes prokurorëve ka ndërhyrje opinionesh për këtë projektligj. Megjithatë, i pyetur nga gazeta “standard” mbi vlerësimin që ka për këtë projektligj të asistuar në të gjitha fazat prej tyre, z. Roland Miklau është shprehur se “rezultati është i mirë”. Ndërkohë, për dy projektligjet e shumëdebatuara nga palët e interesuara, gjatë një takimi në Ministrinë e Drejtësisë, edhe vetë kreu i këtij institucioni z. Enkelejd Alibeaj është shprehur se “mazhoranca është maksimalisht e vendosur që me sakrifica ta çojë reformën deri në fund”. Lidhur me projektligjin për “Prokurorinë”, z. Alibeaj shtoi se “tërë trupa e prokurorëve është konsultuar, konsultime të cilat janë vazhduar në tri stinë, në verë, pranverë, vjeshtë. Përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme kanë qenë pjesë e draftimit të projektligjit. Problematika e ngritur nga Shoqata e Prokurorëve është bërë pjesë e diskutimit në grupin e punës. Janë ftuar të gjithë kryetarët e gjykatave për të dhënë opinionet e tyre mbi këtë ligj dhe i kanë dhënë dhe janë reflektuar në ligj”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›