Topi: Pavarësia e pushtetit gjyqësor, e domosdoshme
Presidenti i Republikës prezanton kryetaren e re të Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Deklarimi: Gjykata e Lartë të punojë me më shumë seriozitet
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, ka marrë pjesë paraditen e djeshme në ceremoninë e prezantimit në Gjykatën e Lartë të kryetares së re të kësaj gjykate, znj. Shpresa Beçaj. Në fjalën e tij para anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Presidenti Topi ka përsëritur domosdoshmërinë e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Ashtu si dhe në takime të tjera të zhvilluara kohët e fundit, edhe gjatë prezantimit të znj. Beçaj, Presidenti Topi nuk ka nguruar të flasë sërish për nevojën e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke shtuar se kjo është një kërkesë që herë pas here deklarohet edhe nga shumë aktorë institucionalë dhe partnerë ndërkombëtarë. “Mos mendoni që pavarësia realizohet me një fjalë goje”, - theksoi Topi, duke shtuar se “edhe te vetë personi duhet të jetë koshienca e plotë që të fitojë pavarësinë individuale mbi bazën e zbatimit korrekt të ligjit, mbi bazën e zbatimit korrekt të të gjithë parimeve të profesionit të gjyqtarit, pastaj të krijohet mjedisi, të krijohen të gjitha kushtet që ne, dita-ditës të fitojmë betejën”. Më tej, kreu i shteti ka vijuar me rëndësinë që ka Gjykata e Lartë, pasi jo vetëm kontrollon vendimet e dy shkallëve të tjera të gjyqësorit, por mund të gjykojë edhe vetë çështje në themel. Duke uruar zonjën Beçaj për detyrën e re, Presidenti i Republikës ka shprehur besimin se e gjithë trupa tashmë e plotësuar e Gjykatës së Lartë do të punojë me përkushtim e ndershmëri në sfidat që paraqiten në kuadër edhe të reformës në drejtësi. Sipas tij, kjo trupë gjyqësore ka treguar se është kompakte, pasi ndonëse për disa kohë ka funksionuar pa kryetar, si një ekip ka çuar punën përpara. Këtu, z. Topi përmendi garantimin e shtetit të së drejtës dhe garantimi i veprimtarisë tepër të rëndësishme të të gjithë sistemit gjyqësor. “Sigurisht, këto sfida janë sfida të vështira, - ka nënvizuar Presidenti Topi, - dhe unë do të kërkoja që Gjykata e Lartë të punojë me shumë seriozitet, të zhvillojë aktivitetin e saj, jo thjesht në rutinën e punës së përditshme, por të jetë pjesëtare aktive për tërë këtë proces të reformimit të pushtetit të drejtësisë”. “Natyrisht, - nënvizoi ai, - koha kërkon sot që bashkëpunimi të jetë serioz, të jetë intensiv, të jetë i matur dhe kur them për komunikim institucional, them për një komunikim shumë serioz institucional, jo thjesht një bashkëpunim, i cili në mjaft raste ka ardhur vetëm nëpërmjet një komunikimi mediatik”. Pasi ka marrë nga Presidenti i Republikës dekretin, kryetarja e Gjykatës së Lartë ka falënderuar kryetarin e shtetit për besimin dhe Kuvendin për votimin unanim të këtij dekreti. “Detyra e kryetarit të Gjykatës së Lartë, - ka thënë mes të tjerash znj. Beçaj, - është e një rëndësie të madhe, jo vetëm për drejtimin e këtij institucioni të rëndësishëm, por edhe për shkak të funksioneve të tjera që rrjedhin nga ky post, si ai i kryetarit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, anëtar i KLD-së etj., funksione këto në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të tjera për organizimin e pushtetit gjyqësor e strukturave që lidhen me të. “Me këtë rast theksoj rëndësinë e detyrave të mëdha që kemi përpara për reformën në sistemin e drejtësisë, për pavarësinë e sistemit gjyqësor, për një drejtësi bashkëkohore që të udhëhiqet nga ligji, profesionalizmi, ndershmëria e devocioni në kryerjen e kësaj detyrë sublime”, - theksoi Beçaj.