Padia, 51 studiues hedhin në gjyq Ministrinë e Arsimit
Objekti, mbrojtja e pronësisë intelektuale
Studiuesit kërkojnë 76.615.681 lekë dëmshpërblim
51 studiues kanë hedhur në gjyq Ministrinë e Arsimit për mbrojtje të pronësisë intelektuale. Shkak, sipas objektit të padisë së tyre, janë bërë tekstet shkollore të vitit akademik 2004-2005, në të cilat janë përdorur studime të tyre, duke iu mohuar të drejtën e autorësisë dhe për këtë kërkojnë të dëmshpërblehen me 76.615.681 lekë. Kjo ka qenë arsyeja pse 51 studiuesit më 9 maj të këtij viti kanë hedhur në gjyq Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, ndërkohë që çështja është caktuar me short elektronik për t’u gjykuar nga gjyqtarja Majlinda Doga. Dje ka qenë edhe seanca e katërt përgatitore për të dyja palët. Por, pasi palët nuk kanë rënë dakord, gjykata ka vendosur të kalojë në seancë gjyqësore. Të dyja palët do të paraqesin dhe pretendimet e tyre në lidhje me kërkesë-padinë e tyre civile të depozituar në Gjykatën e Tiranës. Nëpërmjet kërkesë-padisë së depozituar në gjykatë, studiuesit kërkojnë nga gjykata shpërblimin e dëmit në masën 76.615.681 lekë. Paditësit kërkojnë nga gjykata mbrojtjen e tyre intelektuale. Në kërkesë-padinë studiuesit bëjnë me dije se marrja e së drejtës së tyre intelektuale është shkaktuar nga shkelja e të drejtave morale dhe ekonomike si autorë të teksteve shkollore të shtypur dhe shpërndarë për vitin shkollor 2004-2005. Një prej studiueseve, e cila është edhe një prej paditëseve, Teuta Mati, kërkon nga gjykata shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga shkelja e të drejtave morale dhe ekonomike të paditësve si autorë të teksteve shkollore të shtypur dhe shpërndarë për vitin shkollor 2004-2005. Paditësit janë me tituj të ndryshëm, ku midis tyre gjenden studiues që kanë titullin doktor, apo asistent-doktor dhe profesor. Pesëdhjetë e një paditësit studiues janë Abaz Hoxha, Adriatik Kullulli, Agim Gorana, Ana Lalaj, Arqile Berxolli, Bashkim Kuçuku, Dafina Brokaj, Dhimitër Doka, Dhurata Shehri, Dituri Malaj, Edmond Pisha, Enver Hysa, Eqerem Arkaxhiu, Fatmira Keta, Fatos Mustafaj, Flutura Pipa, Gjergj Zheji, Gjergji Sinani, Halil Sykja, Hysni Myzyri, Ilia Ninka, Ilia Prifti, Jakup Agalliu, Jorgji Doksani, Katina Drenova, Kristaq Piti, Kudret Velça, Kujtim Mullaj, Llambro Filo, Llukan Puka, Loredan Bubani, Mark Marku, Mina Naqo, Moikom Zeqo, Natasha Xhafka, Neki Frashëri, Nikoleta Mita, Perikli Qiriazi, Petrika Thengjilli, Piro Çipo, Renata Qatipi, Robert Tytymçe, Teuta Mati, Tonin Çobani, Vasil Kristo, Vasil Trajani, Vilson Kuri, Xhevat Lloshi, Ylljet Aliçka, Zenun Mulaj dhe Zyhdi Dervishi. Seanca e radhës do të zhvillohet në datën 12 dhjetor në orën 11:00, ku të dyja palët priten të lexojnë pretendimet e tyre. Sipas burimeve nga gjykata, të gjithë studiuesit të cilët janë të fushave të ndryshme do të paraqesin kërkesat e tyre secili më vete.
Padia
Nëpërmjet kësaj padie të depozituar në Gjykatën e Tiranës, studiuesit kërkojnë shpërblimin e dëmit në masën 76.615.681 lekë të shkaktuar nga shkelja e të drejtave morale dhe ekonomike si autorë të teksteve shkollore të shtypur dhe shpërndarë për vitin shkollor 2004-2005.