E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli pret ministrin e Jashtëm çek, Karel Shvarcenberg

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Karel Shvarcenberg. Gjatë bisedës së tyre, Topalli e falënderoi ministrin Shvarcenberg për mbështetjen që Çekia i ka dhënë Shqipërisë për ratifikimin e Protokollit të NATO-s dhe të MSA-së. Pasi vlerësoi nivelin e marrëdhënieve që këto dy vende kanë mes tyre, kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria këto tri vitet e fundit ka realizuar me sukses reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, rritjen ekonomike dhe se po punohet për liberalizimin e vizave. “Ky vit do jetë viti i realizimit të ëndrrave të shqiptarëve”, - tha Topalli. Ministri i Jashtëm çek, Karel Shvarcenberg, theksoi se Shqipëria do të ketë një mbështetje të vazhdueshme nga Çekia, e cila merr Presidencën e radhës të BE-së në muajin janar.

“Gratë për gratë”, Topalli zbret në Gjirokastër.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vijuar dje turin e saj në Gjirokastër ku u prit nga qindra gra të zonës. Takimi në odeonin e Qendrës Historike të Qytetit, me praninë e grave të profesioneve të ndryshme dhe të përfaqësuesve nga komunitete minoritare që jetojnë në këtë zonë, u fokusua në shkëmbimin e mesazheve për promovim të gruas në vendimmarrje, për kujdes shëndetësor të nënës dhe fëmijës si edhe luftën kundër dhunës në familje. Topalli tha në fjalën e saj se ndihej krenare që ndodhej në Gjirokastër si dhe ftoi gratë e këtij qyteti të marrin pjesë në vendimmarrje. “Unë jam optimiste kur shkoj qytet më qytet dhe shikoj prani të madhe të zonjave dhe vajzave, lidere dhe të suksesshme në profesionet e tyre, në jetë dhe në familje. Dhe si politikane kam detyrë për t’ju bërë ftesë juve dhe të gjitha grave kudo që janë, të bëheni pjesë e vendimmarrjes së madhe. Mendoj se ka ardhur koha që në vendimmarrjen e madhe, aktore të jenë vetë gratë. Kush më mirë se ato dinë të menaxhojnë buxhetet familjare, jetën e përditshme, fëmijët dhe të ardhmen e tyre”, - deklaroi Topalli. Në përshëndetjet e saj kirurgia, Anila Manga, tha se “ne, mjeket në kontakt të përditshëm me këto probleme, kemi ndier si deficit në rezultatet e punës sonë mungesën e kulturës së duhur shëndetësore, ndonjëherë edhe padijen e gjinisë sonë për të parandaluar me anë të ekzaminimeve”. Duke i uruar mirëseardhjen, përfaqësuesja e komunitetit minoritar grek në Gjirokastër, Mariana Koxhioni, tha se “ne jemi një komunitet që jeton në miqësi të plotë, në dashuri e mirëkuptim”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›