E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti qeveri-KLD, Spahiu kryqëzon PD-në

Nënkryetari i KLD-së ka replikuar ashpër dje me deputetët e mazhorancës dhe përfaqësuesen e Ministrisë së Drejtësisë

TIRANË- Konflikti ekzekutiv-drejtësi nuk ka të ndalur. Pas debateve të hapura me prokurorët, gjyqtarët apo edhe avokatët, qeveria ka rihapur edhe një herë debatin me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kësaj radhe, shkak është bërë projektligji “Për organizimin e drejtësisë administrative”, i njohur ndryshe si drafti për krijimin e gjykatës për gjobat ndaj biznesit. Numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i ftuar dje së bashku me disa anëtarë të tjerë të këtij institucioni në Komisionin e Ligjeve për të dhënë vlerësime lidhur me draftin e qeverisë për gjykatat administrative, ka replikuar ashpër me deputetët e mazhorancës dhe përfaqësuesen e Ministrisë së Drejtësisë.

Debati

Komisioni i Ligjeve, në kuadër të diskutimit të projektligjit “Për organizimin e drejtësisë administrative”, ka zhvilluar dje një seancë dëgjimore me përfaqësues të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por, duket se marrëdhëniet jo shumë të mira mes KLD-së dhe qeverisë, ka detyruar kreun e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, që të lërë mbledhjen menjëherë sapo Kreshnik Spahiu nisi të lexojë materialin e tij me vlerësimet dhe sugjerimet për draftin. Por, kjo nuk ka penguar nënkryetarin e KLD-së që të bëjë një sërë vërejtjesh për projektligjin, për hartimin e të cilit, sipas tij nuk është marrë aspak mendimi i KLD-së. Madje, ai ka shkuar edhe më tej, duke deklaruar se KLD-ja nuk është njoftuar fare në lidhje me këtë projektligj. “Sot është dita e parë që KLD-së i jepet mundësia që të jetë pjesë e këtij diskutimi, pasi nuk ka qenë në grupin e punës”, - tha Spahiu. Por, një fakt i tillë është kundërshtuar nga deputetët e PD-së, të cilët edhe me asistencën e përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë kanë paraqitur një dokument shkresor, sipas të cilit KLD-ja është vënë në dijeni për këtë projektligj që më datën 1 tetor 2008. “Thatë se është hera e parë që po pyeteni. Kam një shkresë protokolli nga Ministria e Drejtësisë, 1.10.2008, që u ka shkuar gjithë institucioneve varianti i parë i projektligjit”, - deklaroi deputeti demokrat, Eris Hoxha, duke paraqitur dhe shkresën përkatëse. Ky ka qenë edhe momenti kulminant i mbledhjes, pasi palët në debat janë acaruar së tepërmi, duke kaluar edhe në ofendime respektive. Ndërkohë që vetë Spahia, duke iu referuar shkresës zyrtare që bëri publike deputeti Hoxha, ka sqaruar se pavarësisht se bëhej fjalë për një draft fillestar, ajo është dërguar në KLD në të njëjtën datë që është miratuar edhe në mbledhje të qeverisë, pra më 1 tetor 2008.

Vërejtjet

Nisur nga fakti se ngritja e kësaj lloj drejtësie, në mënyrë të posaçme bëhet për herë të parë në vendin tonë, përfaqësuesit e KLD-së kanë kërkuar nga ekzekutivi, si nismëtar i këtij drafti dhe legjislatori, që të jenë të kujdesshëm në vendimin që do të marrin, sidomos në aspektin e strukturës organizative të kësaj lloj gjykate. Kështu, sipas Spahisë, projekti i qeverisë për të shkrirë seksionet e drejtësisë administrative pranë Gjykatave të rretheve gjyqësore dhe për të krijuar një gjykatë të posaçme administrative të shkallës së parë në Tiranë dhe 30 degë të saj në rrethe, do të sjellë një amulli të plotë dhe inefektivitet në gjykim. Për këtë arsye, ai ka propozuar që kjo lloj drejtësie të organizohet në 6 gjykata administrative, në gjashtë prej rretheve kryesore të vendit, ashtu siç është organizuar edhe sistemi i gjykatave të apelit. Një vërejtje tjetër që bëri ai, ishte edhe ajo mbi mënyrën e përzgjedhjes së trupës së gjyqtarëve. Sipas tij, parashikimi që bën projekti për të marrë parasysh, përveç përvojës në sistemin e drejtësisë, edhe përvojën në administratën shtetërore, është abuziv dhe nuk i shërben cilësisë së dhënies së drejtësisë. Ndërkohë që, anëtari i KLD-së, Neshat Fana, ka kundërshtuar mënyrën e shpërndarjes së gjyqtarëve në seksionet e gjykatës administrative që do të ngrihen nëpër rrethe.

Debati

Kreshnik Spahia:

“KLD-ja ka shprehur një interes të jashtëzakonshëm për të qenë pjesë e këtij projektligji, pavarësisht se mundësitë nuk janë krijuar deri më sot dhe sot është dita e parë që KLD-së i jepet mundësia që të jetë pjesë e këtij diskutimi, pasi nuk ka qenë as në grupin e punës, por as pjesë e një mendimi në periudhën kur është hartuar ky projektligj”

Eris Hoxha:

“Thatë se është hera e parë që po pyeteni. Kam një shkresë protokolli nga Ministria e Drejtësisë, 1.10.2008 që i ka shkuar gjithë institucioneve varianti i parë i projektligjit. Qëndron shkresa?”

Spahia:

“Ka qenë një mungesë serioziteti e theksuar nga dërguesit e kësaj shprese. Kjo shkresë është dërguar ditën e premte pasdite, për të marrë mendimin ditën e hënë”

Hoxha:

“Ka ardhur shkresa apo jo, kaq dua. Nuk dua historia! Mos ngri zërin. Je në komisionin e Ligjeve dhe respekto Komisionin e Ligjeve. Mos trego përralla këtu”

Spahia:

“Ki qetësinë të dëgjosh përgjigjen. Ruaj etikën kur i drejtohesh KLD-së se në KLD nuk tregohen përralla. Ajo shkresë ka ardhur e shoqëruar me versionin jozyrtar të projektligjit dhe, në mungesë serioziteti të plotë, është detyruar këshilli që ta diskutojë, jo mbi projektin final, por fillestar, në prezencën e ekspertëve ndërkombëtarë, pasi kishte kaluar në qeveri. Fakti që ju sillni është sa për të larë gojën, pasi ndërsa siç thatë edhe ju ministria na ka sjellë në datën 1 tetor një shkresë, po atë ditë, pra më datë 1 tetor,Këshilli Ministrave është mbledhur dhe ka miratuar projektin”

Fino - Hoxhës:

“Mos bërtit. S’ke pse ngre zërin në komision”

Hoxha - Finos:

“Nuk po flet njeri me ty, prandaj s’ke pse ndërhyn fare.

Fino:

“Kjo s’ka lidhje se kujt i drejtohesh, çështja është se me zërin dhe acarimin tënd po na krijon shqetësime dhe ne të tjerëve. Prandaj ruaj qetësinë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›