EURALIUS-i, anketim në shtator me 1300 juristë shqiptarë
Tiranë - Misioni Europian i Asistencës për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri në muajin shtator do të zhvillojë një anketim me 1300 juristë shqiptarë. Burime pranë këtij misioni shpjeguan dje për gazetën “Albania” se gjatë këtyre ditëve po përgatitet një pyetësor që ka të bëjnë me Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Ky anketim zhvillohet për herë të parë në vendin tonë dhe pritet që të nxjerrë në pah dhe problemet që ekzistojnë aktualisht në pushtetin e Gjyqësorit në vendin tonë. Anketim pritet që të zbulojë edhe performancën që kanë aktualisht gjyqtarët në të gjithë vendin, si dhe prokurorët dhe oficerët gjyqësorë.
Duke iu ruajtur anonimati, për herë të parë, rreth 1300 juristë shqiptarë, mund të tregojnë të gjitha problemet që ata mendojnë se ekzistojnë në Drejtësinë shqiptare. Përfaqësuesit e huaj që merren me çështjet e drejtësisë në vendin tonë janë drejt përfundimit të pyetësorëve dhe pritet që anketimi mund të nisë realizimin që në shtator. EURALIUS-i po përgatit një pyetësor të përbërë nga çështje që kanë të bëjnë me Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm mbi boshllëqet ligjore dhe performancës së gjyqtarëve, prokurorëve dhe Policisë. Ky pyetësor do t’u drejtohet 1300 juristëve praktikues dhe do të vlerësohet nga ekspertë të EURALIUS-it. Në vazhdim të nismës së mësipërme EURALIUS do të realizojë fletëpalosje me rezultatet e pyetësorit. Mësohet se do të ketë dhe një raport të posaçëm për problemet që janë theksuar më shumë nga juristët nëpër institucionet që janë shtyllat kryesore për dhënien e drejtësisë në vend. Pas mbarimit të këtij anketimi dhe nxjerrjes së konkluzioneve, një tjetër anketim pritet të zhvillohet nga ky institucion ndërkombëtar. Sipas burimeve, EURALIUS-i në një stad të mëvonshëm do të përgatisë gjithashtu një pyetësor që do t’u drejtohet gjyqtarëve, prokurorëve dhe Policisë mbi performancën e juristëve praktikues.
Laureta Rryçi
Tiranë, kërkohej për vjedhje, arrestohet 34-vjeçari
Tiranë – Një 34-vjeçar i shpallur në kërkim për vjedhje është kapur sot nga policia e Tiranës. Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit bënë ndalimin e 34-vjeçarit në kërkim, Zamir Llakaj, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, ndalimi i tij u bë sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 16 qershor 2009, e ka dënuar atë me 2 vjet heqje lirie për veprën penale të “vjedhjes”. Pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative policia mundi të zbulonte vendndodhjen e 34-vjeçarit duke ekzekutuar kështu edhe vendimin e Gjykatës.
Policia, qytetarëve: Shmangni radhët në kufi, ja oraret e pikut
Tiranë - Orët e pasdites dhe orët e vona të natës janë momenti më i përshtatshëm që emigrantët që do të kthehen në tokën greke të mos presin radhë në kufi. Sugjerimi vjen nga Policia e Shtetit, e cila ka njoftuar qytetarët që të shfrytëzojnë për lëvizjen e tyre drejt shtetit grek gjatë intervaleve kohore nga ora 16:00-21:00 dhe 00:00-09:00. “Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, në kuadër të masave të marra për përballimin e fluksit të lëvizjes në pikat e kalimit kufitar, me qëllim për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve që lëvizin kryesisht në pikat e kalimit në drejtim të shtetit grek informon qytetarët se në pikën e kalimit kufitar Kakavijë gjatë kësaj periudhe fluksi më i madh i lëvizjes është konstatuar nga ora 09:00-16:00, si dhe nga ora 21:00-24:00”, - thuhej në deklaratën lëshuar dje nga Policia e Shtetit. “Shërbimet e Policisë Kufitare të kësaj pike u sugjerojnë qytetarëve që të shfrytëzojnë për lëvizjen e tyre drejt shtetit grek dhe intervalet kohore nga ora 16:00-21:00 dhe 00:00-09:00, ku fluksi i lëvizjes është shumë i ulët. Në pikën e kalimit kufitar Kapshticë fluksi më i madh i lëvizjes është konstatuar nga ora 10:00-17:30. Shërbimet e Policisë Kufitare të kësaj pike u sugjerojnë qytetarëve që për lëvizjen e tyre drejt shtetit grek të shfrytëzojnë dhe intervalet kohore nga ora 17:30 deri në orën 10:00, ku fluksi i lëvizjes është i pakët”, - deklaroi më tej Policia e Shtetit.
Denoncimi, 30-vjeçari, një vit seks me të miturën
Tiranë - Një vit pas marrëdhënieve seksuale sistematike që një 30-vjeçar kryente me të, 15-vjeçarja vendosi ta denoncojë atë në polici. Dy ditë më parë një vajzë 15 vjeçe ka mbërritën në zyrën e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit ku u deklaroi oficerëve se një djalë 30-vjeç kryente me të marrëdhënie seksuale që prej shtatorit të vitit të kaluar dhe ajo kishte vendosur ta denonconte atë. Ekzistenca e ligjit që dënon marrëdhënien seksuale me të mitur e ka detyruar policinë të vihet në ndjekje të 30-vjeçarit, pavarësisht se gjithçka mund të kishte ndodhur edhe me dëshirën e së miturës. Kështu, dje policia bëri të mundur ndalimin e 30-vjeçarit F. Gj., i cili u mor në pyetje. Burime nga policia thanë për gazetën se dyshohet që i ndaluari nuk ka ushtruar dhunë ndaj 15-vjeçares për ta detyruar atë të kryejë marrëdhënie seksuale më të. Por fakti që ajo është e mitur e ka çuar djalin në qeli.
24 Gusht 2009