E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Financave pranon krizën, kredi të reja për të dalë nga situata

Qeveria, në dilemë për sigurimin e parave për të kryer shpenzimet

Ervin KOÇI

Shqipëria po “lundron” e gjitha mbi valët dhe efektet e krizës ekonomike. Këtë gjë e ka pranuar dje ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili, megjithëse ka dhënë shifra pozitive të bilanceve ekonomike, nuk ka fshehur dot dilemën në të cilën ndodhet qeveria për të siguruar burimet e nevojshme financiare. Mungesa e parasë në buxhet është aktualisht “thembra e Akilit” për qeverinë shqiptare, e cila, përveç përpëlitjes në politikat e kursimeve, ka lënë të hapur edhe marrjen e kredive të reja tregtare nga bankat e huaja. Por, ministri Bode, tha dje, gjatë një konference për shtyp, se situata buxhetore është e stabilizuar dhe se efektet e krizës ndërkombëtare janë minimale, duke i pranuar gjithsesi këto të fundit. Por, pavarësisht situatës optimiste, kreu i Financave pranoi se nga buxheti i këtij viti do të kursehen afro 9 miliardë lekë. Sipas Bodes, këto para do të vijnë nga projektet ende të patenderuara dhe që nuk garantojnë zbatimin brenda këtij viti dhe jo nga frika e thellimit të efekteve të krizës. “Ne jemi duke riparë buxhetin, me qëllim rialokimin e fondeve, pasi disa projekte nuk mund të realizohen brenda këtij viti, ndaj ne parashikojmë të kursejmë 8-9 miliardë lekë. Këto para do t’i shpërndajmë në projekte që kanë avancuar më shumë dhe kanë nevojë për financim”, - tha Bode në konferencë. Ministri pohoi se situata aktuale buxhetore në mbledhjen e të ardhurave dhe në shpenzime është e stabilizuar.

Të ardhurat

Ministri i Financave raportoi se të ardhurat janë realizuar në masën 171 miliardë lekë për periudhën 7-mujore. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat arrijnë në 95 për qind të planit.
Por, Bode nuk ka mundur të mbulojë dot mosrealizimin e të ardhurave nga doganat, të cilat, për shkak të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, kanë ndjerë efekte negative në të ardhura. Ai kundërshtoi edhe zërat polikë, të cilët thonë se arka e shtetit është boshatisur. Bode u shpreh se “në llogarinë e Bankës së Shqipërisë qeveria rezulton, në datën 21 gusht, me 4.8 miliardë lekë dhe 97 milionë euro”. Kreu i Financave sqaroi se në buxhetin e shtetit, përveç të ardhurave nga tatimet dhe doganat, janë edhe të ardhurat nga privatizimet e kompanive “ARMO”, “AMC” dhe “OSSH”, të cilat llogariten në rreth 240 milionë euro. "Këto të ardhura do të përdoren për uljen e borxhit publik, investimet, si dhe 30 milionë euro do t'i jepen Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për rikapitalizim", - u shpreh ministri Bode. Duke folur për nivelin e kreditimit të ekonomisë, Bode u shpreh se këtë vit kreditimi arrin në 35 për qind të PBB-së, një shifër kjo e kënaqshme, edhe pse rritja nuk është në të njëjtat nivele si një vit më parë. Por edhe pse niveli i kredive të këqija ka arritur si 7-mujor në 7 për qind, situata nuk është për t’u shqetësuar, sipas ministrit. Ai tha në lidhje me këtë se “ne jemi mësuar që të kemi një rikthim të kredive në masën 100 për qind, por me këtë nivel kredidhënie që kemi është normale që të ketë edhe firo, sërish mbetemi në nivele të ulëta krahasuar me vendet e rajonit”.

Shpenzimet

Brenda muajit shtator qeveria pritet të rishikojë buxhetin për vitin 2009, me qëllim rialokimin e fondeve për të mos krijuar presion përsa u përket shpenzimeve të parashikuara në fund të vitit. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit në fund të muajit korrik 2009 arritën në rreth 211.4 miliardë lekë, nga rreth 225.1 miliardë lekë të parashikuara për këtë periudhë, duke u realizuar në masën 94% të parashikimit të periudhës. "Niveli i shpenzimeve rezulton të jetë rritur me rreth 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, dhe kjo për shkak se shpenzimet kapitale u rritën me 63%, rrjedhojë kjo e rritjes së kërkesës konsumatore, ofertës publike dhe rritjes së kapacitetit të kompanive private pjesëmarrëse në vepra publike", - tha ai. Krahasuar me planin vjetor, këto shpenzime janë realizuar 54.3%, ndërsa kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë, shpenzimet buxhetore rezultojnë rreth 42 miliardë lekë me shumë. Shpenzimet korente zënë rreth 73.2% nga rreth 74% të parashikuara, ose në fund të 7-mujorit 2009 arritën 154.8 miliardë lekë, ose 93.13% e parashikimit të periudhës, duke rezultuar me një mosrealizim prej rreth 11.4 miliardë lekësh. Shpenzimet për investime zunë rreth 27% nga 26% të parashikuara. Shpenzimet për pushtetin lokal arritën 17.9 miliardë lekë nga rreth 20.2 miliardë lekë të planifikuara për këtë periudhë të vitit, duke rezultuar me një mosrealizim prej 2.2 miliardë lekësh.

24 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›