E Shtunë, 31 Tetor 2026

I sëmuri psikik vrau babanë dhe qëndroi 12 orë mbi trupin e tij

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në Tiranë, kur A. Shehu goditi për vdekje të atin 80-vjeçar

Luan Kondi

Tiranë – Krimi në familje rishfaqet në metropolin shqiptar, por kësaj radhe ka për protagonist një të sëmurë psikik. 45-vjeçari A. Shehu vetëm me një goditje me gju në sy ka larguar përgjithnjë nga jeta babanë e tij 80-vjeçar, Redi Shehun, por i penduar përsa kishte bërë nuk iu nda për 12 orë kufomës së të atit. Edhe pse me vonesë nuk është pak mënyra e reflektimit të 45-vjeçarit, i cili ishte kthyer në shtëpi pas një kurimi të gjatë në spitalin psikiatrik. Të gjitha verifikimet e çuan policinë në përfundimin se A. Shehu ishte i sëmurë psikik.
Ngjarja
Kanë qenë fqinjët e familjes Shehu në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, të cilët kanë dyshuar se një krim kishte ndodhur atje. Nisur nga këto dyshime ata nuk kanë ngurruar të telefonojnë policinë, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje. Specialistët e Zyrës së Hetimit të Vrasjeve pranë Policisë së kryeqytetit mbërritën në banesën e familjen Shehu, ku gjetën të vdekur 80-vjeçarin Redi Shehu, si dhe djalin e tij 45-vjeçar A. Shehu. Ky i fundit u shoqërua menjëherë në polici për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes si autori kryesor i dyshuar për vrasjen e të moshuarit. Burime nga policia thanë për gazetën se 45-vjeçari qëndronte i heshtur pranë trupit të pajetë të babait të tij. “Ende nuk janë sqaruar rrethanat e këtij krimi, por hetuesit në bazë të rindërtimit të ngjarjes konkluduan se i moshuari ka qenë shtrirë në divan kur është qëlluar nga i biri. 45-vjeçari e ka qëlluar babanë e tij me gjurin e djathtë në pjesën e syrit. Nga goditja e fortë i moshuari ka rënë nga divani, çka ka sjellë më pas edhe vdekjen e tij”, - konfirmuan burime policore.
Pendimi
Vdekja e babait e ka prekur 45-vjeçarin, i cili edhe 12 orë pas ngjarjes nuk ka lajmëruar askënd për ndihmë apo të largohej vetë nga banesa, por ka qëndruar pranë kufomës së të atit. Për policinë veprimi para, gjatë dhe pas krimit i 45-vjeçarit e ka një shpjegim. Burime nga radhët e uniformave blu thanë se autori i ngjarjes kishte dalë nga spitali psikiatrik, ku kurohej pasi vuante nga një sëmundje mendore, vetëm pak ditë më parë. Madje, po sipas policisë, ka qenë babai i tij ai që kishte kërkuar daljen e të birit për të qëndruar në shtëpi me të pasi jetonte i vetëm. 80-vjeçarit Redi Shehu pak kohë më parë i kishte vdekur bashkëshortja, ndaj dhe jetonte i vetëm. Ai kishte dy djem, njëri jetonte në Gjermani dhe tjetri në spitalin psikiatrik. Policia tha se ka arrestuar 45-vjeçarin, i cili vetëm sa ka pranuar krimin, por nuk ka dhënë detaje për rrethanat e vrasjes, e cila mendohet se mund të ketë ndodhur pas një debati mes të moshuarit dhe të birit 45-vjeçar.

Kapet në flagrancë kosovari, tentoi të kalonte kufirin me pasaportë false

Durrës – Forcat e policisë së Durrësit kanë arrestuar në flagrancë 25-vjeçarin Fidan Zekaj, lindur dhe banues në komunën Istok të Kosovës. Sipas të dhënave, arrestimi në flagrancë i kosovarit u bë sepse u kap duke tentuar në kalojë kufirin përmes pikës kufitare të Portit të Durrësit në mënyrë të paligjshme për në Itali, duke paraqitur para autoriteteve një pasaportë jugosllave me Nr. 00490018, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. U bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i pasaportës së mësipërme. Materialet e përgatitura i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” parashikuar nga Neni 189/1 i Kodit Penal.

24 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›