E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Otranto gomonia me 316 kg marijuanë, arrestohen skafisti dhe 3 shoqëruesit



Një operacion i forcave të Policisë italiane “Guardia di Finanzia” ka mundur të ndalojë udhëtimin drejt brigjeve italiane të një gomoneje me katër persona në bord dhe e ngarkuar me 316 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë. Ndalimi nga policia u bë në Kanalin e Otrantos, ku pas sekuestrimit të drogës iu vunë pranga katër skafistëve. Duke iu referuar raportimeve në mediat italiane, policia i ka identifikuar personat si Shpendi dhe Metli Imamaj, Benjamin Isufaj dhe Lorenc Beqiraj. “Një skenë e riparë në fillim të viteve ’90”, - përshkruan media italiane. Në aksionin për kapjen e gomones janë angazhuar disa helikopterë dhe një avion i “Giardia di Finanzia”-s, si dhe mjetet lundruese të Policisë Kufitare. Ndërhyrja operacionale u realizua në kohën kur mjeti lundrues kaloi Kanalin e Otrantos dhe po afrohej të zbarkonte në brigjet e Salentos. Në momentin e zbulimit nga policia drejtuesit e gomones kanë tentuar të largohen duke vënë në punë motorët e mjetit lundrues, por ndjekja me avion ka dështuar. Burime nga Policia italiane thanë se skafi lëvizte me drita të fikura në kohën që u zbulua nga roja bregdetare, e cila u vu në ndjekje të saj derisa arrestoi katër trafikantët.

24 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›