E Hënë, 2 Nëntor 2026

Udhëzimi i ri, kush ndërton objekte, do të paguajë kontribute për punonjësit

Sa lekë duhet të paguajnë kryefamiljarët për ndërtimet e ulëta vetjake

Jonida Tashi

Kostos së ndërtimit të një banese, përveç rritjes së çmimit të materialeve të ndërtimit, tashmë do t’i shtohet edhe barra për të siguruar punonjësit, qofshin këta edhe pjesëtarë të familjes. Rolin e punëmarrësit në këtë rast do ta kryejë kryefamiljari, i cili do t’u paguajë sigurime shoqërore dhe shëndetësore pjesëtarëve të familjes ose personave të tjerë që do të punësojë për ndërtimin e banesës. Ndryshe nga më parë, tani, çdo person i interesuar për të ngritur një ndërtesë të ulët vetjake, duhet të deklarojë në bashkinë ose komunën përkatëse personat që do të punësojë për ndërtimin e saj. Udhëzimi Nr. 26, datë 16.4.2009 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” përcakton procedurat që do të ndiqen nga personat që duan të ndërtojnë një banesë.
Procedurat
Për ndërtimet e ulëta vetjake, bashkitë dhe komunat japin lejet përkatëse të ndërtimit. Në çastin e dhënies së lejes dhe në bazë të dokumentacionit të paraqitur, bashkia ose komuna përkatëse regjistron veprimtarinë në emër të marrësit të lejes. Sipas udhëzimit të fundit “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, me fillimin e punimeve, marrësi i lejes, në rolin e punëdhënësit, detyrohet të deklarojë punëmarrësit në bashkinë ose komunën përkatëse, si dhe të paraqesë atje listë-pagesën mujore dhe të paguajë kontributet e detyrueshme për fondin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Kështu, personi që ka marrë lejen e ndërtimit në rolin e punëdhënësit, nga paga mujore e personave që ka punësuar (brenda kufijve të miratuar minimalë e maksimalë të pagës mbi të cilën llogariten kontributet), do të mbajë pjesën përkatëse të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe së bashku me pjesën e punëdhënësit do ta kryejë pagesën në bashkinë apo komunën përkatëse. Bashkitë dhe komunat, kontributet e mbledhura i transferojnë në llogaritë bankare të përcaktuara për kontributet, duke ndjekur të njëjtat rregulla si edhe për derdhjen e kontributeve të subjekteve të tjera. Nga bashkitë dhe komunat, listë-pagesat origjinale të këtyre subjekteve, të kompletuara me numrin e sigurimit shoqëror për çdo punonjës, dorëzohen çdo muaj në organet përkatëse të Sigurimeve Shoqërore.
Regjistrimi
Personat e vetëpunësuar në aktivitet, tregtar apo shërbimi, ambulant pajisen me numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT) nga organi tatimor. Punëdhënësit dhe personat e vetëpunësuar janë të detyruar të pajisin personat për të cilët paguajnë kontribute me numrin e sigurimit shoqëror (NSSH), të cilin duhet ta tërheqin nga organet e Sigurimeve Shoqërore, menjëherë me fillimin e punës së personit, dhe ta pasqyrojnë në listë-pagesën e radhës që dorëzojnë në organin tatimor. Punëdhënësit dhe personat e vetëpunësuar, që e fillojnë veprimtarinë për herë të parë, brenda 20 ditëve nga data e regjistrimit, duhet të paraqesin në agjencitë e sigurimeve shoqërore një kërkesë për pajisjen e të punësuarve me numrin e sigurimit shoqëror. Numri i sigurimit shoqëror jepet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pas paraqitjes së kërkesës, sipas formularit tip. Numri i sigurimit shoqëror ka rëndësi të veçantë për krijimin e historikut të të dhënave me kontributet e paguara për secilin person. Punëdhënësit dhe personat e vetëpunësuar me punëmarrës ose me punonjës të papaguar të familjes duhet të azhurnojnë listën e personave për të cilët detyrohen të paguajnë kontributet sa herë që lista e paraqitur dorëzohet në organin tatimor, pavarësisht nga koha e bërjes së deklaratës, duke pasqyruar të dhënat e personave, që fillojnë punë për herë të parë apo të punësuar rishtazi, si dhe brenda 10 ditëve për të larguarit nga puna, sipas formularit numër E-SIG 027/a; “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna” (kur rasti është i tillë, pra ka të punësuar që fillojnë punë për herë të parë apo të punësuar rishtazi, si dhe të larguar nga puna).

Regjistrimi i personave si kryefamiljarë
Lidhur me regjistrimin e personave si kryefamiljarë që punësojnë persona si punëtorë shtëpie, vijohet si më poshtë:
a) Kryefamiljari, i cili në këtë rast është përcaktuar në rolin e punëdhënësit dhe, si i tillë, ka detyrimin për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
b) Kryefamiljari që punëson persona si punëtorë shtëpie, dy ditë pune pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, duhet të dorëzojë në organin tatimor listën e të punësuarve me pagën përkatëse.
c) Kryefamiljari që punëson persona si punëtorë shtëpie është i detyruar të deklarojnë me shkrim në organin tatimor përkatës punëmarrësit e punësuar rishtazi, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës. Të larguarit nga puna duhet t’i deklarojë me shkrim brenda 10 ditëve nga largimi.
d) Kryefamiljari që punëson persona si punëtorë shtëpie, është i detyruar të pajisë personat me numrin e sigurimit shoqëror (NSSH), të cilin duhet ta tërheqë nga organet e sigurimeve shoqërore, menjëherë me fillimin e punës së personit, dhe ta pasqyrojnë në listë-pagesën e radhës që dorëzon në organin tatimor.
e) Kontributet e sigurimeve shoqërore, për personat e punësuar si punëtorë shtëpie, paguhen nga kryefamiljari, i përcaktuar si punëdhënës, në llogaritë bankare, të përcaktuara sipas procedurave, të vendosura për këtë qëllim. Pagesa e kontributeve bëhet çdo tre muaj, sipas rregullave për pagesat e kontributeve nga personat e vetëpunësuar në biznesin e vogël.
f) Kryefamiljari që punëson persona si punëtorë shtëpie, është i detyruar të deklarojë dhe paguajë kontributet për personat që punëson, pavarësisht se ata gjatë periudhës tatimore mund të jenë të punësuar edhe në punëdhënës të tjerë, ose të vetëpunësuar, dhe gjithashtu të njëjtin veprim janë të detyruar të kryejnë edhe punëdhënësit e tjerë, ose të vetëpunësuarit, në rastin e anasjelltë.
g) Personat e punësuar si punëtorë shtëpie, sikurse dhe personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, pajisen me librezën e kontributit, nga strukturat e sigurimeve shoqërore, të cilat janë të detyruara ta plotësojnë në vijimësi, në bazë të kontributeve të paguara.

Shuma mujore fikse e kontributit për të vetëpunësuarit

Në udhëzimin “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” është përcaktuar dhe shuma mujore fikse e kontributit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore që duhet të paguajë personi i vetëpunësuar në aktivitet, tregtar, shërbimi ose ambulant, si dhe kryefamiljari që punëson persona si punëtorë shtëpie. Në rastet kur veprimtaria ekonomike e personit fizik, i vetëpunësuar, fillon, përfundon apo ndërpritet për një periudhë prej së paku një muaj të plotë kalendarik gjatë një periudhe deklarimi, dhe fillimi, mbyllja apo ndërprerja e veprimtarisë ekonomike i është njoftuar drejtorisë rajonale tatimore me shkrim, shuma e kontributeve për t’u paguar për të vetëpunësuarin do të llogaritet si vijon: Shuma për t’u paguar për periudhën e deklarimit x (A/B), ku: A = numri i muajve të plotë apo të pjesshëm brenda periudhës së deklarimit gjatë së cilës është kryer veprimtaria ekonomike; dhe B = numri i muajve të plotë gjatë periudhës së deklarimit.

Masa e kontributit për punëmarrësit me kohë të pjesshme

Për qëllimet e llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, masa e kontributit për t’u paguar për punëmarrësit me kohë të pjesshme përcaktohet nga vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 1114, datë 30.7.2008, të ndryshuar. Në zbatim të këtij vendimi, për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen në bazë të Ligjit Nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, që janë me kontratë pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, llogaritet për degët e sigurimit, barrë-lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale dhe sigurim shëndetësor, në përqindjet përkatëse, mbi pagën bruto mujore sipas listë-pagesës, por jo më pak se niveli i pagës bruto të përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 995, datë 2.7.2008. Paga maksimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve, edhe për këta të punësuar, do të jetë ajo e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave.

24 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›