E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: “Ministri i piramidave duhet të tregojë të vërtetën për financat e shthurura”



Deklarata e sotme e ministrit të Financave, Ridvan Bode, se kriza ekonomike ka kaluar dhe se situata është e stabilizuar, ka nxjerrë menjëherë në podium deputeten e PS-së, Mimi Kodheli, e cila ka deklaruar se më në fund Bode ka pranuar se vendi ka pasur krizë, fakt të cilin opozita e ka bërë të ditur kohë më parë. “Ne sot e pyesim publikisht Ridvan Boden; pse paratë e privatizimeve abuzive të pasurisë së përbashkët të shqiptarëve po bëhen gati për të mbushur arkën e boshatisur nga fushata e grabitjes së votës, duke i zhytur çdo ditë e më shumë në borxh familjet shqiptare? Ridvand Bode duhet t'u thotë shqiptarëve nëse është paguar fatura mbi 60 milionë euro për rrugën e kombit? Ministri i piramidave duhet t’u thotë shqiptarëve nëse i ka shlyer detyrimet e mëdha që u ka kjo qeveri firmave të tjera të rrugëve të hapura nëpër Shqipëri”, - deklaroi Kodheli. “Edhe në rastin kur guvernatori i Bankës, edhe pse me një gjuhë shumë diplomatike, flet qartë për krizë ekonomike kërcënuese, ministri i Financave çuditërisht pranoi sot se situata ekonomike në vend tashmë është e qëndrueshme!!! Ministri i piramidave duhet të tregojë të vërtetën për financat e shthurura të vendit, për mosfinancimin e kontratave që ka lidhur për rrugët e për mungesën e investimeve, për gropën e zezë të ekonomisë ku rrezikon të bjerë vendi, si edhe për pasigurinë sociale që po rritet çdo ditë në Shqipëri”, - përfundoi deputetja e PS-së, Mimi Kodheli.

24 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›