Veliaj rizgjidhet në krye të G99-s, shpallen kandidaturat kryesore për deputetë
Delegatët e degëve të Partisë G99 nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, mbledhje që përkonte me 1-vjetorin e themelimit të kësaj partie. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar është votuar për rizgjedhjen e anëtarëve të strukturës më të lartë të kësaj partie si dhe të kryetarit të saj. Erion Veliaj është rizgjedhur kryetar i G99-s për katër vitet e ardhshme, ndërkohë që në Këshillin Kombëtar janë rizgjedhur gjithashtu Milva Ikonomi, Gjergji Filipi, Eduard Harshova, Juliana Hoxha etj. Në çelje të kësaj asambleje Arbjan Mazniku prezantoi tri shtyllat kryesore të programit të G99-s: modernizimin e arsimit, punësimin rinor dhe realizimin e votës së të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Në fjalën e tij ndaj asamblesë Erion Veliaj tha: “Premtimi ynë për Shqipërinë është potenciali ynë rinor. Ne nuk jemi të armatosur me vinça që shkulin tabelat, me KKRT që dhunon fjalën e lirë duke vënë gjoba televizioneve që transmetojnë spotet tona, nuk kemi paratë dhe pushtetin e politikës së vjetër. Ne vijmë me fytyrat tona të reja, me pasionin tonë për të punuar dhe me dinjitetin e integritetin tonë të paprekur, pa asnjë bagazh të rëndë apo kompleks nga e kaluara. Ne në kundërshtim nga zoti Berisha mendojmë se mosha mesatare mjaft e re e Shqipërisë është një avantazh, një ndër armët më të forta që ka ky vend në betejën e integrimit europian. Më 28 qershor është dita për të treguar pikërisht këtë”. Gjatë pasdites së djeshme G99-ta ka organizuar një aktivitet festiv ka shpallur zyrtarisht nisjen e fushatës elektorale, ndërkohë që ka prezantuar gjithashtu edhe disa prej kandidaturave të saj për deputetë. Kështu, Arbjan Mazniku dhe Juli Hoxha do kandidojnë në Tiranë, Milva Ikonomi në Durrës, Maklen Misha në Korçë, Genci Kojdheli në Vlorë dhe Orgen Hasanbegaj në Gjirokastër.
11 Maj 2009