E Diel, 1 Nëntor 2026

Koalicioni i PS-së, krerët e partive aleate do të kandidojnë të parët në të 12-të qarqet

Gjinushi dhe Veliaj kanë deklaruar se do të kryesojnë listat e partive të tyre në secilin qark.

Shaban Sulçe
Ndryshe nga kryesocialisti Edi Rama, i cili nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë, krerët e partive aleate të Partisë Socialiste pritet të shfrytëzojnë plotësisht favorizimin që u bëhet në Kodin e ri Zgjedhor, duke kandiduar të parët në listat e partive të tyre në të 12-të qarqet njëkohësisht në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, ka pohuar prej kohësh se do të jetë i pari në listat shumemërore të PSD-së në secilin qark. Të njëjtën gjë ka pohuar dje edhe kreu i G99-s, Erion Veliaj, ndërkohë që një vendim të ngjashëm pritet të marrë së shpejti edhe kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.

Strategjia
Kryetarët e partive të vogla aleate të PS-së duket se do të hyjnë në zgjedhje duke vënë si “kolateral” përpara zgjedhësve emrat e tyre. Ata do të përpiqen që të grumbullojnë sa më shumë vota, duke shfrytëzuar imazhin e tyre mediatik, artikulimin politik dhe influencën në radhët e njerëzve dhe grupeve të interesit. Strategjia e ndjekur prej tyre ka për synim një përfitim të dyfishtë. Së pari krerët e partive në fjalë, “garantojnë” mandatin e tyre të deputetit, në qarqet ku ekziston një tendencë më pozitiv për mbështetjen e elektoratit dhe fitimin e votave në zgjedhjet e 28 qershorit. Së dyti edhe në qarqet ku probabilitetit për fitimin e mandateve është zero, për partitë në fjalë, ata do të përpiqen të mbledhin sa më shumë vota për “shportën” e koalicionit të majtë. Sigurisht që bëhet fjalë për vota të majta, por që nuk janë për Partinë Socialiste. Në këtë mënyrë, ata do të kontribuojnë në fitimin e mandateve të koalicionit.

Favorizimi
Kodi i ri Zgjedhor rezulton të jetë më favorizues në krahasim me Kodin e mëparshëm përsa i përket garantimit të shanseve të kryetarëve të partive të vogla për të siguruar mandatin e deputetit. Nëse në Kodin e mëparshëm kryetarëve të partive u sigurohej e drejta për të vendosur emrin të parin në listën proporcionale kombëtare, e njëjta gjë, por me përmasa më favorizuese, do të ndodhë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kështu, kryetarët e partive të vogla kanë të drejtë që të vendosin të parin emrin e tyre në listë në të 12-të qarqet njëkohësisht. Thënë më qartë, kryetari i një partie mund të jetë i pari i listës së partisë së tij, si në qarkun e Tiranës, ashtu edhe në qarkun e Shkodrës, të Durrësit, Fierit etj. Një gjë e tillë sanksionohet në pikën 3 të Nenit 67 të Kodit të ri Zgjedhor, ku thuhet se kryetarët e partive politike që konkurrojnë veçmas apo si pjesëtarë të një koalicioni, mund të kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend. “Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër, dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. Bëjnë përjashtim nga ky rregull kryetarët e partive politike që konkurrojnë veçmas apo si pjesëtarë të një koalicioni, të cilët mund të kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend”, - thuhet në Kodin e ri Zgjedhor.

Koalicioni
Në koalicionin e Partisë Socialiste është e sigurt pjesëmarrja e Partisë Social-Demokrate, Partisë Demokracia-Sociale dhe Partisë G99, ndërkohë që shumë pranë këtij koalicioni është edhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, të kryesuar nga Vangjel Dule. Ndërkaq, dy ditë më parë, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste i mandatoi kryetarit Edi Rama të drejtën për nënshkrimin e koalicioneve. Pritet që një gjë e tillë të ndodh të hënën e ardhshme, ku Rama do të takohet me krerët e partive aleate.

11 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›