Rama në Uznovë: “Qeverisja jonë do të garantojë libra falas për të gjithë fëmijët e varfër”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim me banorët e zonës së Uznovës në rrethin e Beratit, ku ka shpalosur programin e ri qeverisës të Partisë Socialiste për arsimin. Rama tha se qeverisja e re socialiste do t’i kushtojë një vëmendje shumë të veçantë zhvillimit të arsimit, ndërkohë që ai premtoi se për të gjithë nxënësit e varfër do të garantohet shpërndarja falas e librave mësimorë. Rama tha se qeverisja e re nuk do t’i mashtrojë nxënësit, siç bëri kryeministri Berisha me rimbursimin e librave, por do t’i japë falas dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ato. “Sali Berisha pati pafytyrësinë të thotë se abetaret do të jenë falas. Abetaret nuk janë falas. Ato janë shitur një për një, siç janë shitur një për një të gjithë librat e klasës së parë dhe të të gjitha klasave të tjera, dhe janë shtuar radhët e fëmijëve që nuk kanë shkuar dot këtë vit në shkollë për shkak të varfërisë. Kjo do të ndryshojë pas 28 qershorit. Ne, abetaren dhe librat e shkollës do t’i japim falas për të gjithë fëmijët e varfër, jo me rimbursim, por drejt e në dorë”, - tha ai. Më tej kryesocialisti premtoi se edhe në qeverisje komunikimi me njerëzit dhe me grupet e interesit do të jetë një pikë kyçe ku do të mbështetet qeverisja. Rama u shpreh se politika e vjetër ka 18 vjet që ka futur mes njerëzve ndarjen e përçarjen, duke mos u dhënë dot qytetarëve të këtij vendi arsye për t’u bashkuar. “Kanë 18 vjet që ju japin ju dhe gjithë shqiptarëve të ndershëm arsyen pse duhet të jeni të ndarë, pse duhet të jeni të përçarë, pse duhet të bëni sherr dhe për çfarë në fund të fundit, për ata, për politikanët. Kjo është një lojë që ka 18 vjet që e luajnë ata dhe që e paguani ju. Është dita që kjo lojë të mbarojë, sepse këtu luhet me fatin e të rejave dhe të rinjve e këtij vendi. Shqipëria nuk mund të jetë njerkë për disa dhe nënë për disa të tjerë. Shqipërinë nënë të gjithë fëmijëve të këtij vendi mund ta ndërtojmë vetëm së bashku, duke i lënë politikanët e vjetër të së shkuarës në kutinë e televizorit dhe duke e sjellë qeverinë këtu, midis jush, siç kemi ardhur sot, për t’ju thënë se çdo bëjmë nesër, do të vijmë edhe nesër për ta bërë së bashku atë që sot ju themi se do ta bëjmë”.
11 Maj 2009