Topi: Diplomacia të jetë më vizionare
Kritikat në adresë të ambasadorëve kanë ardhur dhe nga kreu i shtetit, Bamir Topi. Ndërkohë që po ngurron të hedhë firmën në disa emra të propozuar nga Kryeministri si diplomatë në vende të rëndësishme, ka kërkuar një diplomaci më vizionare. Ai ka kërkuar nga ambasadorët shqiptarë më shumë përkushtim, përgjegjësi, profesionalizëm dhe atdhedashuri. “Në një kohë që interesat kombëtare dhe ato globale janë gjithnjë e më shumë të lidhura dhe të ndërthurura, politika e jashtme e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe misionet tona diplomatike jashtë duhet të ndërtojnë vizione dhe strategji afatmesme dhe afatgjata jo vetëm për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e vendit tonë, por sidomos për t’i siguruar atij pozicionin që meriton në rajon, në Evropë e në botë, në NATO e në Bashkimin Evropian”, - tha Topi në fjalën e tij. Fjalimi i tij ka synuar të prekë shumë problematika, siç është ajo e reformave që po kryen qeveria për të cilat është shprehur se “ndryshimet demokratike kërkojnë reforma shumëplanëshe. Reformat kërkojnë ligje funksionale dhe gjithëpërfshirëse; ligjet kërkojnë vullnet politik e angazhim profesional”. Në këtë prizëm ai shtoi se “shërbimi i jashtëm i Shqipërisë duhet të bëhet përcjellës, zëdhënës dhe pasqyrues i këtyre të vërtetave të rëndësishme shqiptare pranë kancelarive të aleatëve dhe partnerëve tanë”. Ai ka ndarë të njëjtin mendim me Kryeministrin se diplomatët duhet të bëjnë më shumë për promovimin e vendit tonë në vendet ku ata shërbejnë. “Ai duhet të jetë përfaqësues dinjitoz, por sidomos produktiv. Investimi që taksapaguesit shqiptarë bëjnë për hapjen, mbajtjen e përfaqësimeve tona diplomatike dhe të shërbimit tonë me jashtë duhet të përkthehet në prurje të investimeve të huaja për ekonominë shqiptare, në projekte infrastrukture etj.”, - tha Presidenti. Ndërkaq, Presidenti ka kërkuar që argumentet dhe vlerësimet e tij të merren parasysh në politikën e shpërndarjes gjeografike të misioneve tona diplomatike. Duke iu drejtuar ambasadorëve, Topi ka kërkuar prej tyre që të bëhen mbrojtës të bashkësive shqiptare në vendet ku punojnë. “Shërbimi me jashtë i Republikës së Shqipërisë duhet urgjentisht të ndërtojë një strategji të re për diasporën shqiptare në botë, diasporën e re dhe atë të vjetër. Detyrë parësore duhet të jetë mbrojtja e interesave dhe dinjitetit të shtetasve tanë në vendet ku ata kanë shkuar për një jetë më të mirë, ndjekja dhe zgjidhja e vështirësive që ata dhe familjet e tyre hasin”, - theksoi ai.