E Diel, 1 Nëntor 2026

EUROSTAT: “Në tregjet shqiptare çdo prodhim është rritur me 20 lekë”



EUROSTAT: “Në tregjet shqiptare çdo prodhim është rritur me 20 lekë”

Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina janë dy vendet më të varfra në rajonin e Ballkanit dhe nga më të varfrat në Europë, ku vendi ynë renditet i pari për çmimet më të larta të produkteve ushqimore. Një shtetas shqiptar paguan deri në 70 për qind më tepër se një qytetar europian i BE-së, për të siguruar ushqimet e tij të përditshme. Këtu nuk bëhet fjalë për një ushqyerje të mirë, por vetëm për ushqimet bazë sa për të shuar urinë, ku peshën kryesore e zënë drithërat. Këtë vlerësim e ka dhënë raporti më i fundit i EUROSTAT-it, homologu i INSTAT-it tonë në BE, i cili e ka renditur Shqipërisë të fundit për nga mirëqenia e të ushqyerit në Europë së bashku me Bosnjën. Duke i bërë një analizë të imtësishme ekonomisë shqiptare dhe të ardhurave për frymë, Shqipëria edhe pse ka rezultuar si një nga 4 vendet më të varfra të “kontinentit plakë”, si për hironi ka çmimet më të larta të produkteve ushqimore. Dy fqinjët tanë, ai veriperëndimor Mali i Zi dhe ai lindor Maqedonia, shpenzojnë shumë më pak se ne për të siguruar ushqimet e përditshme, me pa 55 për qind, por duke pasur parasysh se ato kanë të ardhura më të larta për frymë të popullsisë dhe individ me ekonomi më të pasur. Studimi i bërë nga EUROSTAT-i u është referuar të dhënave të vitit 2007 lidhur me çmimet për produktet ushqimore, lëndët djegëse, shërbimet dhe të ardhurat për frymë, dhe ka marrë nën studim vende si Shqipëria, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia, si dhe Turqia. Ndërkohë, paralel me këto shtete janë analizuar dhe të ardhurat dhe ekonomia e 7 vendeve anëtare të BE-së që janë, Austria, Italia, Sllovenia, Greqia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania, këto dy të fundit anëtaret më të reja të BE-së.

Veshjet në Shqipëri, më të lira dhe më skarco

Edhe pse çmimet e veshjeve të nivelit masiv në vendin tonë janë më të lira se në dy shtetet e marra si shembull (Italia dhe Greqia), kjo gjë nuk mund të thuhet për cilësinë e tyre. Në vendin tonë nuk ka sezonalitete të theksuara të uljes së çmimeve. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, tendenca e çmimeve të produkteve të grupit “veshje dhe këpucë” është rënëse në rastin e Shqipërisë, dhe rritëse në rastin e Greqisë dhe atë të Italisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo shpjegohet me ndryshimet që ekzistojnë në cilësinë e këtyre produkteve, të tregtuara në këto vende. Peshat për këtë grup të shportës së mallrave të konsumit janë pothuajse të njëjta për Greqinë dhe Italinë, dhe më të ulëta për Shqipërinë. Në indeksin e çmimeve të Greqisë vihet re një sezonalitet i lartë. Ky sezonalitet mund të shpjegohet me uljen e çmimeve pas festave të fundvitit, në janar dhe në sezonin e verës, kur aktiviteti i turizmit është më i lartë. Sezonaliteti vihet re edhe në Shqipëri, por jo aq i theksuar sa në rastin e Greqisë. Kurse qëndrueshmëria në IÇK-në italiane mund të shpjegohet me reputacionin që ka Italia, si një shtet i njohur për shtëpitë e modës dhe si eksportues i këtyre mallrave.

Mbiçmimi i lekut shpëton çmimet e pajisjeve shtëpiake

Çmimet e pajisjeve shtëpiake në vendin tonë kanë tendencë më të lartë uljeje se në dy shtetet e tjera. Në raportin e Bankës së Shqipërisë shpjegohet se tendenca rënëse e çmimeve për tregun shqiptar mund të shpjegohet nga liberalizimi i tregut dhe nga mbiçmimi i lekut. Përsa i përket grupit “hotele, kafene dhe restorante”, evidentohet lehtësisht që të tre shtetet demonstrojnë të njëjtën tendencë rritëse të çmimeve. Në të tre rastet mund të dallohet sezonaliteti. Megjithatë, e vetmja diferencë që duhet theksuar këtu është fakti që rritja e çmimeve në Shqipëri dhe në Itali ndodh në muajin gusht, muaj i cili karakterizohet nga turizëm i lartë. Nga ana tjetër, sezoni turistik fillon më shpejt në Greqi, që në muajt prill e maj, domethënë rreth festimit të Ditës së Pashkëve.

1 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›