EUROSTAT: “Rritet niveli i papunësisë në vendet e BE-së”
“Shtohet numri i të papunëve në vendet e Bashkimit Europian si pasojë e krizës globale që ka përfshirë edhe këtë pjesë të botës”. Ky është konstatimi i bërë dy ditë më parë nga një raport i fundit i EUROSTAT-it, i cili ka marrë në analizë situatën ekonomike në vendet e Eurozonës duke u përqendruar kryesisht në sektorin e punësimit dhe në fenomenin e humbjes së vendeve të punës. Sipas raportit i cili i referohej shifrave të muajit prill 2009, “në zonën Euro, është regjistruar një nivel 9.2 për qind i të papunëve, krahasuar me 8.9 që ishte në muajin mars, ndërsa në vendet e BE-së, në prill u regjistrua 8.6 për qind nga 8.4 që ishte në muajin mars”. Më tej në këtë raport të detajuar, Zyra Europiane e Statistikës, specifikon se niveli i papunësisë është më i larti që prej vitit 1999, dhe ky fenomen ka prekur më tepër disa shtete se disa të tjerë. “Mes vendeve anëtare të BE-së, numri më i lartë i të papunëve është regjistruar në Spanjë, Letoni, Lituani, Itali dhe Greqi, ndërsa numrin më të ulët të të papunëve e mban Holanda dhe Austria”. Po sipas këtij raporti mësohet se shtresat më të prekura nga papunësia janë emigrantët dhe punëtorët e pakualifikuar, ose dhe ata që kanë pasur kontrata të përkohshme me kompanitë ku punonin. Por ndërkohë Komisioni Evropian ka prezantuar dje planin për uljen e papunësisë në vendet e BE-së duke parashikuar përshpejtimin e akordimit të një fondi prej 19 miliard eurosh, që do të shërbejë për nxitjen e punësimit gjatë periudhës 2009-2010. Plani në fjalë, i prezantuar nga presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, parashikon gjithashtu heqjen për dy vjet të rregullit të bashkëfinancimeve për përdorimin e burimeve të fondit social evropian, përdorimin e 100 milion eurove për krijimin e një sistemi të ri të mikrokredive dhe garantimin e të paktën 5 milion kontratave të punësimit. Plani i prezantuar do t'u paraqitet kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së. "Efektet e krizës ndaj punësimit janë shqetësimi ynë kryesor. Do të ishte një gabim i madh për Europën, nëse do ti kthente shpinën kësaj emergjence, sepse nuk mund të ketë një rimëkëmbje të ekonomisë në kushtet e një kolapsi social",- theksoi Barroso.
Blegtoria shqiptare në kushte mesjetare zhvillimi në 5 vitet e fundit
Zhvillimi dhe rendimentet e prodhimit blegtoral në vendin tonë kanë qenë më të ulëtat në të gjithë Europën dhe vazhdojë të jenë të tilla me gjithë programet stimuluese të dhëna nga shteti. Deri tani fermerët shqiptarë e sidomos ata që merren me blegtori, vetëm sa mundin të plotësojnë disa nevoja shumë jetike, në një kohë që zhvillimi i këtij profili është akoma në kushte primitive. Këto të dhëna janë pasqyruar dje gjatë konferencës kombëtare "Zhvillimi dhe perspektiva e blegtorisë 2005-2009", organizuar nga Ministria e Bujqësisë,Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Ekspertët e blegtorisë nga rrethe të ndryshme të vendit sollën shifra dhe të dhëna që flasin për një mungesë të zhvillimit të këtij sektori të rëndësishëm për bujqësinë shqiptare. Sipas MBUMK-së, vitin e kaluar u bë dhe aplikimi për herë të parë, i skemave mbështetëse financiare nga buxheti i shtetit për sektorin e blegtorisë, sipas së cilës, fermerët përfitonin nga 80 euro për çdo viç që lindte. Si rezultat i krijimit të strukturave të qëndrueshme të prodhimit, gjatë këtij viti është evidentuar një situatë mjaft e mirë dhe pozitive në prodhimin blegtoral. Duke iu referuar statistikave të MBUMK-së, është rritur ndjeshëm numri i bagëtive për mish dhe qumësht, janë përmirësuar kushtet në fermë dhe sot është rritur prodhimi i mishit 6 për qind, duke siguruar 94 për qind të mishit të freskët për popullatën, 96 për qind me qumësht dhe 95 për qind me vezë. Blegtoria jep një kontribut të rëndësishëm në ekonominë e vendit, ajo zë 30 për qind të PPB dhe cilësohet si degë kryesore e prodhimit të përgjithshëm bujqësor vendas. Megjithatë prodhimi blegtoral vendas nuk po arrin akoma të plotësojë kërkesat e tregut me prodhime të freskëta, edhe pse ritmet e prodhimit po diktojnë nevojën e ngritjes së qendrave të reja për përpunimin e këtij prodhimi.
4 Qershor 2009