Topi merr pjesë në tryezën rajonale në Malin e Zi, mungon Kosova
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është nisur dje drejt Malit të Zi për të marrë pjesë në Forumin Rajonal për Korridoret Kulturore në Europën Juglindore “Administrimi i shumëllojshmërisë kulturore dhe promovimi për qëllime turistike”, i cili do të zhvillohet në datat 3-4 qershor 2009, në qytetin e vjetër turistik Cetinjë. Në këtë forum të tetë të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore, do të marrin pjesë krerë shtetesh të Kroacisë, Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë etj., të cilët do të priten nga Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Në forum do të jenë gjithashtu të pranishëm sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Terri Devis dhe drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Koiçiro Macura. Por në këtë forum rajonal bie në sy mungesa e drejtuesve të shtetit të pavarur të Kosovës. Vetëm një ditë më parë kryetari i shtetit shqiptar, Topi, zhvilloi në Durrës një takim me presidentin e Maqedonisë Ivanov me të cilin bisedoi për domosdoshmërinë e njohjes dhe konsiderimit të shtetit të pavarur të Kosovës duke e bërë atë pjesë të tryezave të diskutimit rajonal. Ndërsa në forumin e Malit të Zi, presidenti Topi do të mbajë fjalën në një nga sesionet plenare ku do të përshëndesë organizimin e këtij aktiviteti të dobishëm për rajonin e Ballkanit, si dhe do të vlerësojë rëndësinë që ka për rajonin tonë promovimi i vlerave kulturore e turistike në mbarë Europën.
4 Qershor 2009