E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori austriak, Grossruck, emërohet në krye të misionit të vëzhguesve afatshkurtër



Drejtori i zyrës së OSBE-së, ambasadori Janez Lenarcic, si dhe zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, shprehën dje nga Varshava qëndrimin e tyre për të punuar fort gjatë monitorimit të zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Lenarcic dhe Grossruck bënë të qartë se duke pasur parasysh rëndësinë e zgjedhjeve përsa i përket konsolidimit të demokracisë dhe procesit integrues të vendit në Bashkimin Europian, nevojitet bashkëpunim i ngushtë midis strukturave të OSBE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, në mënyrë që të arrihet një vlerësim objektiv dhe i bazuar në fakte i këtyre zgjedhjeve.
Ambasadori austriak Grossruck është emëruar koordinatori special i misionit të vëzhguesve afatshkurtër në Shqipëri. Gjatë vizitës së tij Grossruck dha udhëzime përsa i përket aktivitetit në ODIHR-it dhe parapërgatitjeve për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. ODIHR-i ka dërguar në Shqipëri një mision afatgjatë që drejtohet nga Odrei Glover, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa më vonë është kërkuar një tjetër mision afatshkurtër i përbërë nga 400 vëzhgues që do të monitorojnë zgjedhjet ditën e votimit, më 28 qershor. Një deklaratë e parë mbi vlerësimin e zgjedhjeve do të mbahet nga misioni i vëzhguesve me datën 29 qershor, pra një ditë pas zgjedhjeve. Ndërsa raporti final do të bëhet publik disa javë pas zgjedhjeve.

4 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›