Berisha përuron ndërtimin e Petroliferës në Vlorë
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e përurimit të terminalit të depozitimit të karburanteve, i ndërtuar nga petrolifera italo-shqiptare, në pyllin e Sodës, në Vlorë, një investim me vlerë 57 milionë euro. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha e cilësoi këtë investim të një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për Vlorën, por edhe për Shqipërinë dhe rajonin. Kryeministri Berisha u shpreh se “në strategjinë e qeverisë time për ta shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjetike rajonale, ky është një diamant i vërtetë”. Kryeministri Berisha u shpreh se bizneset italiane janë në krye të investimeve të huaja në Shqipëri, ku vetëm në gjashtë muajt e fundit janë nënshkruar me kompanitë më të mëdha italiane investime që i kalojnë 3.6 miliardë euro, si dhe janë në përgatitje e sipër kontrata me disa miliardë euro të tjera. “Një gjë është e sigurt, se Shqipëria është bërë vend i besimit të madh për investitorët italianë dhe ata botërorë. Natyrisht, ashtu siç pritej dhe ashtu siç duhej, investimet italiane janë në krye të këtij procesi jetik për Shqipërinë. Këto investime janë të shpërndara në fusha të ndryshme, por mbi të gjitha janë në fushën e energjetikës. Unë kam besim të madh se gjatë viteve që do të vijnë këto investime do të shumëfishohen. Premtimi im para investitorëve italianë dhe atyre të mbarë botës është se ky vend do të ndërmarrë çdo reformë, çdo ligj dhe çdo vendim për t’u bërë vendi më miqësor dhe më i përshtatshëm për investimet e huaja në Europë”, - u shpreh kryeministri Berisha.
4 Qershor 2009