E Shtunë, 31 Tetor 2026

EVA GOLEMI, sopranoja e dramave te dashurinë



Petrika GROSI
I pëlqejnë më shumë se gjithë të tjerat rolet tragjike, sidomos kur në fund protagonistja sakrifikohet për dashurinë... Ajo ka pasion violinën dhe ëndërr aktrimin. Energjike, e çiltër dhe e lirshme njësoj si në skenë, solistja e parë e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Eva Golemi, ka pranuar të tregojë ekskluzivisht për suplementin “Albania Weekend”, mbi jetën e saj në skenën lirike, karrierën, vështirësitë, sakrificat që i duhet të bëjë për profesionin, rolet e shumta në skenë si dhe planet për të ardhmen.

Me çfarë po merret aktualisht solistja e parë e TKOB-it, Eva Golemi?
Kam disa ditë që jam kthyer nga Triestja, ku këndova Kasta Divën në një koncert për paqen. Merrnin pjesë këngëtarë të ndryshëm lirikë nga Ballkani dhe mund të them se interpretimi u prit mjaft mirë. Tani jam me pushime. Pres të bëj disa audicione shumë të rëndësishme për sezonin që vjen, sidomos në Itali.

Si do ta përcaktonit sezonit që sapo u mbyll?
Mbylla një sezon të suksesshëm. Kisha tri shfaqje “Norma” dhe nuk ishte hera e parë që e luaja. E kisha interpretuar edhe në Itali. Përveç kësaj, kisha dhe “Andrea Chenier” në muajin prill.

Ku ndryshon vënia e një pjese në skenën shqiptare dhe në atë të huaj?
Janë shumë detaje, që nga skenografia, kostumet, kërkesat regjisoriale etj.

Pse u keni qëndruar larg roleve komike?
Në fakt, përveç rolit te “Elisir d’amor”, të gjitha personazhet e tjera i kam dramatike. Është bukur kur personazhi sakrifikohet ose vetësakrifikohet për dashurinë. Pastaj varet se ku artisti e gjen veten. P.sh., unë e gjej veten shumë mirë te Puçini. Madje dirigjenti italian e vlerësoi Normën time si një nga dhjetë më të mirat që kishte parë.

Sa ndikon historia e personazhit në interpretimin e tij?
Ndikon shumë, pasi në disa raste është më e vështirë që t’i hysh brenda një personazhi të ndërlikuar.

Po publiku ynë a ndryshon nga ai i huaj. Duke nisur që nga duartrokitjet me vend e pa vend etj?
Për hir të së vërtetës nuk ndryshon dhe publiku shqiptar nuk mbetet pas nga të tjerët. Tashmë njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe duke ndjekur vit pas viti premierat që jepen këtu është krijuar një farë kulture dhe edukimi për t’u admiruar në këtë drejtim.

Duke qenë se solistë ka shumë, ndërsa pak vende e produksione, a ndieni konkurrencë brenda mureve të Teatrit të Operas dhe Baletit?
Nuk e ndiej konkurrencën për faktin se gjithsecila këtu ka vendin e vet. Shqetësohem më tepër për të punuar rolin si duhet dhe për të dhënë më të mirën, të jem mirë në nivelin vokal, skenik, interpretativ etj.

Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një rol për të cilin ju ishit më e përshtatshme dhe më në formë, ta ketë marrë dikush tjetër pa të drejtë?
Këto janë gjëra që edhe mund të ndodhin, por nuk mbaj mend ndonjë rast konkret. Megjithatë, këtu rolet merren me audicione. Pavarësisht se jam soliste e parë, duhet të hyj në audicion për ta fituar një rol.

Cila ka qenë rruga juaj për t’u bërë solistja e parë e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit?
Një rrugë shumë e gjatë. Mbarova Akademinë në ’96-n. Madje pa marrë diplomën, në moshën 22-vjeçare, kam luajtur rolin e parë, një nga më të vështirët e Moxartit. Në maj këndova në opera dhe në qershor u diplomova. Në atë kohë erdhi një regjisor gjerman, Pol Frider, dhe dirigjenti austriak Manfred Mainhofer, çift që edhe tani në 2007-n u rikthye dhe vuri në skenën tonë “Lakuriqi i natës”. Që nga ai moment vazhdova të punoja fort dhe mori hov karriera ime në TKOB. Audicion pas audicioni fitova duke konfirmuar vullnetin dhe talentin tim, derisa u emërova soliste. Tashmë numëroj 23 role të para në TKOB duke nisur që nga Violeta, Mimi, Toska, Norma, Amelia, Xhilda, Madam Baterflaj etj.

Vetëm e bukur ka qenë karriera juaj, nuk keni pasur momente të vështira?
Sigurisht që po. Çdo profesion ka momente të vështira, sidomos një herë; mbaj mend te “Traviata”, isha shumë e sëmurë dhe dola të interpretoja kur temperaturën e kisha 39. Rezistova gjithë shfaqjen, deri në fund. Ishte një gjë e tmerrshme.

Si ka mundësi që me gjithë atë temperaturë nuk u dorëzuat?
Dëshira për të mos hequr dorë nga roli ishte e madhe.

Le të flasim pak për fillimet tuaja; kur e kuptuat që duhet të vazhdonit për kanto?
Nga klasa e shtatë dëgjoja në radio “Bareshën e Alpeve” dhe mundohesha që ta imitoja. Aty mamaja vuri re se nuk më mungonte zëri. E kisha shumë qejf edhe violinën, por vazhdova për kanto. Pastaj kam punuar me mexosopranon Xhovana Doka për t’u futur në Liceun Artistik. Pasi mbarova Liceun konkurrova dhe fitova të drejtën e studimit në Akademinë e Arteve të Bukura.

Po sikur të mos ishit soprano sot, çfarë do të bënit?
Siç ju thashë, më pëlqente shumë violina, por nuk e kisha atë fat. Ngushëllohem me faktin që sot ime bijë vazhdon për violinë.

Po nëse nuk do të ishit një artiste, a do të kishit ndonjë zanat tjetër?
Ndoshta një aktore.

Prapë me artin?
(Qesh.) Ngado që të shkoj dal tek arti. Më pëlqen shumë aktrimi dhe kam dëshirë që të më jepet mundësia një ditë për ta provuar. Gjithsesi, mbetet një ëndërr.

Pika juaj më e fortë?
Zëri. Nuk më tradhton as kur jam me temperaturë ose kur jam e sëmurë. Gjithashtu jam shumë këmbëngulëse, nuk dorëzohem lehtë dhe punoj shumë.

Sa orë në ditë ju duhet të punoni me zërin?
Gati dy-tri orë në ditë.

Ka ndodhur që të harroni se jeni në shtëpi dhe të ngrini zërin duke shqetësuar familjen ose fqinjët?
Ndonjëherë po. Ulem në piano dhe këndoj ndonjë partiturë por zakonisht. Këtë e bëj me zë të ulët. Ndërsa në punë gjithmonë këndoj me maksimumin e zërit. Nuk e ruaj zërin, siç bëjnë të tjerët nëpër prova, dhe them se jam me fat që kam zë kaq të fortë.

Si janë luhatjet tuaja mes muzikës bashkëkohore dhe asaj klasike?
Kam kënduar tri opera bashkëkohore si “Dasma arbëreshe”, “Oirat” dhe “Ferri”. Këto më mjaftojnë dhe nuk do të luaj më të tjera. Muzika moderne e çimposton zërin dhe nuk të lejon të ruash belkanton.

A vuan shumë për ta ruajtur zërin?
Jashtëzakonisht; hyj në makinë dhe jam e detyruar të mbyll xhamat e të mos e ndez kondicionerin. Duhet të ushqehesh mirë, në mënyrë të shëndetshme dhe duhet të flesh me regjim. Po kështu nuk ha akullore dhe nuk pi alkool. Veç këtyre duhet të bësh shumë ushtrime për të mbajtur formën.

Po forma fizike a është e rëndësishme për një soprano?
Mendoj se po. Me ekonominë e tregut ka ikur ajo kohë kur mjaftonte të kishe një zë të mirë dhe mund të ngjiteshe në skenë pa problem. Them se ka ikur koha e këngëtareve të shëndosha. Nuk jam që këngëtaret të jenë të dobëta, por minimalisht të kenë një trup normal.

E dyzuar mes punës dhe familjes, si e ndani kohën?
Me mbështetjen e njerëzve të dashur arrin gjithçka. Mundohem ta ndaj kohën, por pa ndihmën e prindërve dhe të bashkëshortit është shumë e vështirë që ta racionalizosh atë.

Cilat janë planet tuaja më të afërta?
Në TOB nuk kam ndonjë angazhim për momentin, pasi do të vihen opera ku nuk do të marr pjesë për arsye të përshtatshmërisë vokale. Mendoj se do të lëviz jashtë shtetit dhe do të jap disa audicione.

Vjen një moment ku në një vend i provon të gjitha sukseset dhe përvojat dhe njeriu e kërkon famën diku tjetër. A ndodh kjo me ju?
Gjithmonë njeriu kërkon ta hapë horizontin, të ketë publik të ri dhe të interpretojë në vende ku nuk ka qenë më parë, por nuk është se më kanë munguar skenat e huaja në Ballkan dhe Europë.

E pra, nuk e keni menduar ndonjëherë që të largoheni nga Shqipëria për të shtuar famën tuaj?
Më pëlqen të lëviz nga Shqipëria dhe të shkoj nëpër koncerte të ndryshme për t’u rikthyer prapë këtu. Sa për t’u larguar fare, familja ta pamundëson këtë gjë. Ofertat nuk më kanë munguar disa herë, por jam e vendosur për të mos u larguar dhe as që e kam një dëshirë të tillë.

Nuk mendoni se kjo do të frenojë hapat tuaj drejt karrierës?
Aq sa kam mundësi këtu do ta bëj. Këto janë zgjidhje personale që të gjithëve na duhet t’i bëjmë në jetë.

Roli që ke dashur ta bësh gjithmonë, por që nuk e ke luajtur asnjëherë?
Nuk e di. Peng nuk më ka mbetur asnjë rol. Të gjitha që kam dashur i kam bërë dhe nuk ka ndonjë rol të veçantë. Violetën dhe Toskën, që i kam pasur shumë dëshirë, i kam luajtur shumë herë, gjithashtu edhe Normën.

A mund të quhesh e plotësuar vetëm me këto role?
Ka shumë këngëtarë në botë që lëvizin gjithë kohës me dy-tri role. Unë e kam tejkaluar këtë, 23 role nuk janë pak.

Çfarë bën Eva Golemi kur është e mërzitur?
Kam qejf të shëtis me makinë.

Ke më shumë qejf detin, apo malin?
Detin. Një kafe në bregdet.

Ku do t’i bëni pushimet?
Në Francë.

Pse kjo zgjidhje?
Kemi disa miq atje dhe do të zbavitemi së bashku.

11 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›