Humbi kontrollin e automjetit, përfundoi në kanal 36-vjeçari
Shkodër – Një aksident ka ndodhur dje në aksin rrugor Shkodër-Velipojë. Sipas policisë, 36-vjeçari Jetmir G., teksa drejtonte autoveturen tip “Volksvagen Golf”, me targë SH 3062 C, rreth 200 metra pa shkuar tek vendi i quajtur “Ura e Gjolulit”, ka humbur drejtimin e mjetit duke dalë nga rruga dhe duke përfunduar në një kanal kullues në anë të saj. Si pasojë, është dëmtuar 18-vjeçari E. J., lindur e banues në qytetin e Shkodrës, i cili udhëtonte si pasagjer në mjetin e sipërpërmendur. I dëmtuari është dërguar në Urgjencën e Spitalit të Shkodrës pa probleme serioze dhe jashtë rrezikut për jetën. Policia po heton për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Fyen policët në krye të detyrës, arrestohet pak çaste më pas
Tiranë – Forcat e policisë së Komisariatit Nr. 5 Tiranë kryen arrestimin në flagrancë të 56-vjeçarit Zef Bushati, banues në Laprakë, pasi duke qarkulluar me automjetin tip Benz, kamionçinë, me targa Tr. 7728 N, nuk iu ka ndaluar punonjësve të policisë dhe më pas i ka fyer për shkak të detyrës. Ky person, pas këtij debati është larguar duke dëmtuar furgonin e policisë, por është kapur menjëherë pas disa minutash nga shërbimet policore. U kryen veprimet procedurale përkatëse dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të “Mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Fyerje për shkak të detyrës”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimit të pronës” parashikuar nga nenet 242, 239, 237 e 150 të Kodit Penal.
Qëllon me armë në mes të qytetit, shpallet në kërkim nga policia
Durrës – Ka qëlluar disa herë në ajër me një armë tip automatik në mes të qytetit dhe më pas është larguar. Sipas të dhënave policore, ngjarja ka ndodhur në Shkozet, në rrugën “Aziz Shkupi”, nga 18-vjeçari Xhildo Kolaj, i dënuar më parë për “Armëmbajtje pa leje”. Në vendin e ngjarjes u fiksuan dhe u morën në cilësinë e provës materiale 8 gëzhoja, 2 fishekë model 56 të kalibrit 7.62 m/m. Ndërkaq, po punohet për sqarimin e rrethanave dhe motivin e ngjarjes si dhe kapjen e autorit. Materialet i kaluan prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “Prishjes së qetësisë publike” parashikuar nga neni 278/2 dhe 274 i Kodit Penal.
11 Korrik 2009