E Diel, 1 Nëntor 2026

Panairet dhe ekspozitat e biznesit, qeveria i çon në afërsi të Fushë Krujës

Diskutohet krijimi i qendrës së panaireve dhe të ekspozitave tregtare. Qeveria dhe biznesi do të investojnë 30 milion euro për QKPET-në

Ervin KOÇI

Panairet dhe ekspozitat e biznesit nuk do të zhvillohen më në institucionet publiko-kulturore në qendër të kryeqytetit por në një zonë që do t’i përkasë periferisë së tij. Këto aktivitete kryesisht me karakter tregtar do të kenë së shpejti një strukturë të specializuar, që do të jetë Qendra Kombëtare e Panaireve dhe Ekspozitave Tregtare (QKPET), e cila do të jetë e vetmja që do të merret me organizimin dhe menaxhimin e tyre, në nivel vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar. Për ngritjen e saj përfaqësuesit e biznesit shqiptar do të financojnë rreth 30 milion euro që do të shërbejnë për ngritjen e Qendrës në fjalë. Qendra e Panaireve do të ngrihet në një sipërfaqe prej 18 hektarë, e cila ndodhet në zonën afër aeroportit të Rinasit, për të cilën biznesi do të investojë një shumë prej afro 30 milion euro që të zhvillohet si qendër dhe shteti shqiptar do të jetë pjesëmarrës me 49 për qind të aksioneve. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj, duke vlerësuar miratimin nga Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, të projektligjit për ndërtimin e një qendre panairi dhe ekspozitash për biznesin, tha se "kjo ka qenë një kërkesë e hershme e biznesit, pasi Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka një qendër të tillë". Në të ardhmen mendohet që pronësia e shtetit në këtë investim të zbehet në mënyrë që bizneset pjesëmarrëse të jenë sa më të pavarura.

Projektligji

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi dje projektligjin e ri "Për krijimin e qendrës së panaireve dhe të ekspozitave tregtare", i përgatitur nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në bashkëpunim me grupet e interesit.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozo, i pranishëm gjatë diskutimit të këtij projektligji, tha se, "me organizimin e ri të panaireve dhe ekspozitave tregtare nga QKPET, synohet që të prezantohen më mirë aftësitë teknike, teknologjike e shkencore të sektorëve të ndryshëm prodhues dhe të shërbimit". Sipas tij, ky projektligj synon të paraqesë arritjet në zhvillimin ekonomik të shtetit shqiptar, nxitjen e investimeve në vend, si dhe promovimin e eksporteve tona jashtë vendit. Deri tani, organizimi i panaireve dhe ekspozitave të ndryshme të fushës së biznesit ka qenë rregulluar me vendime të Këshillit të Ministrave, sikurse ishte VKM-ja nr. 43, datë 17.01.1998 "Për organizimin e panaireve dhe ekspozitave tregtare", i ndryshuar edhe dy herë të tjera, me VKM nr.22, datë 21.01.1999 dhe VKM nr.438, datë 02.07.2004. Baza ligjore e një kuadri të plotë me projektligjin e ri, do të mënjanojë plotësisht defektet e vërejtura në organizimin e deritanishëm të panaireve dhe ekspozitave të ndryshme tregtare dhe biznesit.

Funksionimi

Me hyrjen në fuqi të këtij projektligji, QKPET-ja do të hartojë kalendarin vjetor të panaireve dhe ekspozitave të biznesit. Ndërkohë, çdo panair sipas llojit, do të ketë procedura të përcaktuara për organizimin e tij. Organizimi i panaireve dhe ekspozitave tregtare në nivel vendor do të zhvillohen nën drejtimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, me mbështetjen e pushtetit vendor. Ndërkohë METE ka bërë të ditur panairet dhe ekspozitat që do të zhvillohen nga fillimi dhe deri në fund të vitit 2009, ku do të prezantohen firma dhe kompani të huaja si dhe potencialet e mundshme të vendit për thithjen e investimeve të huaja. Për vitin 2009, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka miratuar realizimin e 13 panaireve, të cilat fillojnë nga muaji mars i vitit 2009 dhe deri në dhjetor të këtij viti. Po sipas këtij vendimi, 12 panaire do të organizohen nga METE në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ndërsa vetëm Panairi i Vitit të Ri do të realizohet në Sallë Portative.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›