E Shtunë, 31 Tetor 2026

EZ pranon abuzimin

Drejtues të lartë të kompanisë ÇEZ kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të Partisë Socialiste, të cilët dy ditë më parë i kanë akuzuar për vjedhje përmes faturimeve të pamatura të energjisë elektrike.

Pas këtij takimi, i cili vijoi përreth 1 orë e 30 minuta, kryetari i bordit në ÇEZ, Josef Heisek tha se janë konstatuar rreth 12 mijë faturime, të cilat do të rishikohen. Sipas ÇEZ, kjo ka ndodhur pasi sistemi i faturimit po ndryshon.

“Diskutuam edhe për energjinë e pamatur. I treguam zotit Beqaj se jemi në një moment duke transformuar gjithë sistemin e faturimit dhe gjatë këtij proçesi ndodhin edhe gabime në sistemin tonë. Një pjesë e mirë e këtyre faturave me zërin ‘Energji e pamatur’ tashmë i kemi anuluar në sistem. Jemi duke parë 12 mijë fatura dhe nëse ka probleme do të anulohen rast pas rasti. Nëse ka fatura gabim ne do t’i anulojmë”, është shprehur Heisek.

Sipas tij, të gjitha ankimimet e qytetarëve do të shihen dhe nëse faturat nuk përkojnë me energjinë e harxhuar, konsumatorët do të rimbursohen.

“Unë dua t’u them se gjatë kësaj periudhe kur mund të ketë gabime u them konsumatorëve të bëjnë ankesa që ne të gjejmë gabimet dhe zgjidhjet rast pas rasti. Kur të duhet që të lëshosh çdo muaj rreth 1 milion fatura, mund të ketë edhe gabime, pasi sistemi ka pak kohë që është bërë dhe gabimet ndodhin. Jemi duke punuar ngushtë me ERE dhe qeverinë shqiptare që të gjejmë zgjidhje edhe përsa i përket legjislacionit shqiptar”, tha Heisek.

Përfaqësuesit e lartë të ÇEZ kanë vlerësuar bashkëpunim me përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe janë shprehur se do të rishikojnë të gjitha çështjet problematike.

Deputeti i Partisë Socialiste Ilir Beqaj pak ditë më parë deklaroi në Top Channel se për këto fatuara me konsum të energjisë të pamatur do të bënte padi në Prokurori.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›