“Eagle Mobile”: Flisni me të gjithë botën me 45 lekë për minutë
Nuk kanë të sosur surprizat e “Eagle Mobile” në këtë fundviti. Kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri ka lançuar së fundi ofertën më të re për thirrjet ndërkombëtare. Të gjithë abonentët e “Eagle” (me parapagesë standarde, Riniring dhe Proring) do të mund të flasin në këto festa me vetëm 45 lekë në minutë kundrejt çdo numri jashtë Shqipërisë që nga Italia në Australi e Japoni, që nga Kosova në Shtetet e Bashkuara e Argjentinë. Kjo dhuratë me rastin e festave do të zgjatë deri më 15 janar 2009 dhe vjen si një falënderim për qytetarët shqiptarë pas arritjes së abonentit të 200 mijtë. Kjo është tarifa më e lirë që është parë ndonjëherë në tregun shqiptar të telefonisë dhe u jep mundësinë mëse 2.5 milionë shqiptarëve të komunikojnë me të afërmit, miqtë dhe të dashurit e tyre që jetojnë e punojnë si brenda kontinentit, ashtu edhe jashtë tij. Kështu “Eagle”, me sloganin “mos numëroni minutat, por të dashurit tuaj në botë që doni t’i uroni”, u jep të gjithë abonentëve të saj dhe të gjithë atyre që do të anëtarësohen në këtë familje mundësinë për të folur më gjatë, për t’u çmallur dhe uruar festat e fundvitit të gjithë atyre që janë larg vatrës familjare. “Eagle Mobile” e sheh këtë si një detyrim ndaj shoqërisë shqiptare, e cila numëron mëse 1.5 milionë pjesëtarë të saj që me mund e me djersë punojnë larg vendit të tyre për një jetë më të mirë. Me këtë mundësi, tashmë do të thyhet tradita e thirrjeve telefonike që shqiptarët kanë pritur nga jashtë, pasi do të jenë ata të parët që do t’u telefonojnë të dashurve të tyre në çdo shtet të botës. Vetëm pak ditë më parë, “Eagle Mobile” ka shënuar suksesin e radhës duke regjistruar abonentin e 200 mijtë. Abonenti me fat, 21-vjeçari Altin Shehaj, nga qyteti i Vlorës, fitoi kështu një “Eagle USB Modem” dhe një vit abonim falas në internet. Ky sukses vjen në një kohë rekord, kur “Eagle Mobile” ka vetëm 9 muaj në tregun shqiptar të telekomunikacioneve falë punës së kompanisë dhe interesit në rritje të qytetarëve shqiptarë. “Kam kënaqësinë t’ju shpreh se Eagle sot (23 dhjetor 2009) shënon 220 mijë abonentë, një shifër tërësisht tej pritshmërisë sonë, që na bën më të vendosur për të punuar me përkushtim e devotshmëri për t’u sjellë abonentëve tanë dhe të gjithë shoqërisë shqiptare shërbimet më të mira dhe cilësore, çmimet më të arsyeshme dhe ofertat më tërheqëse”, - tha drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taksin, në një prononcim dje për mediat.
24 Dhjetor 2008