Konkurrenca për kromin, murosen të gjallë nën tokë 7 minatorë
Mbeten në galeri 7 minatorë të firmës “EGI-K”. Konkurrentët, punonjës të “Vajkal 2007”, mbyllën daljet
BULQIZË – Konkurrenca e egër mes firmave të shfrytëzimit të kromit ka bërë që punonjësit e një kompanie të murosin brenda në galeri minatorët e një firme tjetër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje paradite në qytezën e Bulqizës, në njërën prej galerive të zonës D, e njohur për trupa krommbajtëse të pasura, që lakmohen nga firmat shfrytëzuese të këtij minerali. Megjithë përpjekjet e policisë vendore për ta mbajtur të fshehtë ngjarjen, duke mohuar informacionet, rreth mesditës së djeshme është konfirmuar përplasja mes punonjësve të dy firmave, “EGI-K” dhe “Vajkal 2007”.
Konflikti
Ndërsa punonin në thellësi të galerisë 7 minatorët e firmës “EGI-K”, në sipërfaqe te gryka e galerisë janë shfaqur mjete të firmës “Vajkal 2007”, të cilat kanë shembur një pjesë të galerisë duke bllokuar hyrjen dhe daljen e kësaj pjese të minierës. Bllokimi është bërë afër orës 09.00 të mëngjesit të djeshëm dhe ka vazhduar për katër orë derisa ka vajtur policia vendore, e cila ka bërë zhbllokimin e menjëhershëm të galerisë, nisur edhe nga fakti se brenda saj kishte minatorë dhe se ky ishte një veprim i kundërligjshëm. Sipas burimeve policore të Komisariatit të Bulqizës, policia është njoftuar disa orë pas ngjarjes pasi vetë subjektet nuk kanë arritur ta mbyllin konfliktin mes tyre prej disa ditësh. Përfaqësues të firmës “EGI-K” pretendojnë pronësinë e galerisë dhe hyrjes së saj në atë territor, ndërsa firma tjetër pretendon të kundërtën. Ndërkaq, drejtuesit e kompanisë “ERGI-K”, minatorët e së cilës janë bllokuar për disa orë në galeri, janë shprehur se janë firmë e licencuar dhe se galerinë ku punonin e kishin sipas kontratës së nënshkruar shtetërore dhe për këtë kishin paguar të gjitha detyrimet. Gjithsesi, sipas policisë, këtë çështje do ta hetojnë specialistë të Antikrimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Dibrës. Mesditën e djeshme është bërë e mundur hapja e hyrjes së galerisë dhe dalja e minatorëve nga nëntoka.
Historiku
Ky konflikt për territore kromi nuk është rasti i parë që ndodh në këtë minierë, si për pjesën poshtë nëntokës dhe atë sipër te stoku i kromit. Madje, konfliktet disa herë kanë arritur deri në përleshje me armë e mjete të tjera të dhunshme, gjë për të cilën disa herë policia ka ndërhyrë. Vitin e kaluar, policia e Bulqizës arrestoi disa persona pas përleshjeve që kishin ndodhur në stokun e kromit. Vetë Ministria e Ekonomisë nuk ka arritur të vërë rregull në tërë sektorët për të punuar me licencë dhe në kushte të larta sigurie, duke i lënë shteg, dashje pa dashje, vetëgjyqësisë mes palëve.
MINATORËT E BLLOKUAR
Fadil Capa
Behar Lika
Gazmend Tyci
Shaqir Skënderi
Bashkim Nurçe
Rexhep Gjura
Reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave pranoi konfliktin
TIRANË – Ndonëse ishte hedhur poshtë zyrtarisht ngjarja e rëndë, pasditen e së martës lajmi u konfirmua zyrtarisht nga Ministria e Ekonomisë. "Pas ndërhyrjes së forcave të Rendit në Bulqizë, rreth orës 12.30 u lirua hyrja e galerisë pranë Minierës së Bulqizës, e cila u bllokua nga një grup individësh", - bëri të ditur të martën kryetari i Repartit të Inspektim-Shpëtim Minierave pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Indrit Selba. Një grup individësh, që punojnë në mënyrë të paligjshme nëpër stoqe të mineralit të kromit, bllokuan të martën në orën 10.00 hyrjen e një galerie, në afërsi të Minierës së Bulqizës, në të cilën punonin 7 punëtorët e firmës private "Egi K". Sipas Selbës, "punëtorët e palicencuar bllokuan rreth 2 orë punën për lëvizjen e mineraleve për firmën private "Egi-K" të licencuar nga Ministria e Ekonomisë, por nuk rrezikuan jetën e punëtorëve të saj, të cilët punonin në galeri". Inspektori i Repartit të Inspektim-Shpëtim Minierave në Bulqizë njoftoi menjëherë komisariatin e policisë, që, në bashkëpunim me punëtorët, zhbllokuan hyrjen e galerisë, ndërsa janë shoqëruar në komisariat individët që shkaktuan këtë problem. Paraditen e djeshme, policia e shtetit, përmes zëdhënësit të saj, mohoi faktin që në Minierën e Kromit në Bulqizë të ketë pasur minatorë të bllokuar.
24 Dhjetor 2008