Zjarr në një anije me flamur grek në Portin e Durrësit
DURRËS - Një anije cisternë, që transporton karburant, ka marrë flakë dje teksa ndodhej e ankoruar në portin më të madh të vendit, duke shkaktuar frikë dhe duke bllokuar aktivitetin për disa orë. Burimet zyrtare të Repartit Zjarrfikës pranë Portit të Durrësit bëjnë të ditur se teksa “anija greke “Anastas 1” ishte ankoruar në port dhe kishte nisur shkarkimin e ngarkesës prej 1000 tonë karburant, rreth orës 10. 30 të paradites së djeshme është konstatuar një zjarr në sallën e motorëve. Zjarri është shuar në kohë duke shmangur një katastrofë, pasi ajo ishte e mbushur me naftë dhe për më tepër gjendej në mes të anijeve të tjera në port. Mësohet se vetëm një çerek e sasisë së naftës ishte shkarkuar. Zjarri u shua nga dy zjarrfikëset e reja të Portit të Durrësit për rreth 1 orë nga momenti i nisjes. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dy janë shkaqet e zjarrit: pakujdesia e ekuipazhit dhe ankorimi i gabuar. Marinarët thonë se anija nuk ishte në kalatën e duhur sepse ka vend të posaçëm ku shkarkohet nafta në port. “Anastas 1” sillte naftë në Shqipëri për llogari të firmës “Braka Oil”. Ky është rasti i dytë që kjo anije përfshihet nga flakët. Rasti i parë u shënua 2 muaj më parë kur ajo u përfshi nga flakët në det të hapur.
24 Dhjetor 2008