E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria rriti tri herë çmimin e rrugës



Me një vendim të posaçëm, qeveria shqiptare miratoi rritjen e vlerës për përfundimin e rrugës nga 418 milionë euro në 620 milionë. Kësisoj, prokurorët vendosën të rillogarisnin dëmin e shkaktuar në kushtet e ndryshimit të vleftës që do të investohej. Por hetuesit nuk kishin dyshime (të paktën deri tri javë më parë) se ish-ministri Basha ishte i “kapur” edhe me shifrën e parë, si pasojë e disa iniciativave të tij që rrisnin në mënyrë të rreme koston e ndërtimit të kësaj rruge. Ndërsa dhe një logjikë e thjeshtë matematikore imponon se rritja e kostos në 620 milionë euro mund të sjellë çdo gjë përveçse pakësimin e dëmit fillestar prej 91 milionë eurosh të konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Por rikontabilizimi i kostos dhe menaxhimit të kësaj rruge duket se mund të paraqesë vonesa të rrezikshme kohore për çështjen, ndërsa mospërmbushja e afateve kohore do ta “njolloste” organin e akuzës me një tjetër dështim, në kushtet kur dhe me kontabilizimin paraprak, organi i akuzës ka të faktuar dëmin qindra miliona eurosh të shkaktuar nga Basha dhe vartësit e tij.

24 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›