E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: “Në Shqipëri, 8 në 10 persona përdorin telefoninë celulare”



Ervin Koçi

Qytetarët shqiptarë janë të kapur nga sindromi i celularomanisë. Edhe pse me tarifa relativisht të larta në krahasim me vendet e tjera, numri i atyre që përdorin shërbimin celular në vend, apo i qytetarëve që posedojnë një telefon celular, është i lartë në krahasim me vendet e rajonit. Përveç përdorimit të madh të këtij shërbimi bashkëkohor, shqiptarët renditen edhe si tepër të apasionuar pas posedimit të teknologjisë së fundit, e cila shihet te përdorimi i aparateve më të fundit celularë.
Të gjitha këto i konfirmon raporti më i fundit i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, sipas të cilit “8 në 10 persona kanë të paktën një telefon celular”. Sipas të dhënave zyrtare të këtij raporti, deri në korrik të vitit 2008 numri i shqiptarëve që zotëronin një telefon të lëvizshëm (celular) ishte rritur ndjeshëm. Kjo shifër shkon në total në rreth 2,5 milionë përdorues për të tre operatorët që funksionojnë në tregun tonë ku i fundit më i riu ka rreth 9 muaj që ka hyrë në shërbim.

Tregu celular

Telefonia celulare në vendin tonë mbulon sot mbi 80 për qind të territorit, si dhe përfshin në këtë shërbim mbi 2/3 e popullsisë. Madhësia e tregut celular në Shqipëri ka shënuar rritje të konsiderueshme, vlerësojnë ekspertët e këtij tregu. “Në korrik të vitit 2008, numri i përdoruesve celularë arriti në 2.5 milionë përdorues që përbën afërsisht 80 për qind të nivelit të popullsisë së vendit”, - thekson raporti i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Sipas këtij vlerësimi, numri i përdoruesve të telefonisë celulare deri në vitin 2000 ka qenë i ulët dhe numëronte jo më shumë se 28.775 përdorues që ishin të regjistruar në kompaninë e vetme në atë kohë, “AMC”. Aktualisht, ekspertët vlerësojnë se operatorët “AMC” dhe “Vodafone Albania” kanë secili afërsisht nga 50 për qind pjesë në tregun e kësaj telefonie në terma të përdoruesve, trafikut dhe të ardhura. Përdoruesit me kontratë në fund të vitit 2007 përbënin rreth 6 për qind të numrit total të përdoruesve, shifër që sipas specialistëve është rritur në krahasim me vitet e mëparshme kur ishte 3 për qind. Por e ardhura mesatare për përdoruesit me kontratë është shumë më e lartë se përdoruesit me parapagim dhe vlerësohet të jetë më e larta në vendet e Europës”, - theksohet në raport. Për këtë është miratuar metodologjia, e cila detyron dy kompanitë celulare në vend që të reduktojnë tarifat edhe me 20 për qind deri në fund të vitit 2009.

Fuqia e operatorëve

Deri sot, tregu i telefonisë celulare në vend administrohet prej tre operatorësh, nga të cilët dy zënë dhe numrin më të madh të abonentëve. Numri i përdoruesve të “Eagle Mobile”, që filloi ofrimin e shërbimeve më 13 mars 2008, është mbi 200 mijë abonentë. Operatori i parë në vend “AMC” është licencuar si operator publik kombëtar i telefonisë celulare në vitin 1996 dhe u privatizua në shtator të vitit 2000, në 85 për qind të aksioneve. Operatori “Vodafone Albania” u licencua si operatori i dytë kombëtar më 9 qershor 2001 dhe më 3 gusht 2001 filloi ofrimin e shërbimeve të saj “GSM”. Afati i vlefshmërisë së licencave të tre operatorëve është 15 vjet nga datat e lëshimit të tyre. “AMC” dhe “Vodafone Albania” kanë realizuar në kohë detyrimet e tyre të licencave për mbulimin e popullsisë dhe territorit dhe aktualisht secili prej rrjeteve të operatorëve mbulon afërsisht 84 për qind të territorit dhe 95 për qind të popullsisë. Operatori më i ri “Eagle Mobile”, megjithëse ka vetëm 9 muaj që ka filluar aktivitetin, ka realizuar mbulimin e popullsisë dhe territorit në nivele të krahasueshëm me dy operatorët e tjerë, shumë më shpejt se kushtet e licencës.

Të dhëna mbi tregun e telefonisë celulare në vend për vitin 2008

3
është numri i kompanive celulare që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë: “AMC”, "Vodafone Albania" dhe "Eagle Mobile"

2.5
milionë është numri i përdoruesve të telefonisë celulare deri në fund të vitit 2008, me një rritje prej 500 mijë abonentësh

15
vjet është afati i vlefshmërisë së licencave të tre operatorëve celularë nga datat e lëshimit të lejeve dhe fillimit të aktivitetit

20
për qind duhet t’i reduktojnë më tej tarifat tri kompanitë celulare në vend deri në fund të vitit 2009

70
për qind është niveli i penetrimit ose i përdoruesve të celularit për 100 banorë me një rritje prej 10 për qind në vit

Celulari i katërt, vitin që vjen nis faza e dhënies së licencës

Tregut të telefonisë celulare në vend vetëm vitin e ardhshëm do t'i shtohet edhe një operator i ri, i katërti për nga radha. Burime nga Ministria e Telekomunikacionit shprehen se brenda pak ditësh do të shpallet oferta për tenderin në një nga gazetat më të mëdha në tregun e huaj dhe pas kësaj do të zhvillohet edhe tenderi për dhënien e licencës së katërt në fushën e telefonisë celulare. Sipas burimeve nga kjo ministri, në fazën e parë, që është ajo e parakualifikimit, ka pasur kërkesa të konsiderueshme nga kompani të ndryshme. Aktualisht, në tregun vendas të telefonisë celulare operojnë tri kompani. Në mars të këtij viti hyri në treg kompania më e re “Eagle Mobile”. Me hyrjen e një operatori të ri pritet të shtohen edhe më shumë shërbimet në favor të konsumatorëve.

24 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›