E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre persona përfundojnë në spital nga përplasja e motorit me biçikletën



ELBASAN - Plagosen tre persona si pasojë e një aksidenti automobilistik. Policia e Elbasanit tha se ngjarja ndodhi rreth orës 11 të ditës së martë, në zonën e quajtur Kryqëzimi i Cërrikut në Elbasan. Sipas burimeve të policisë, “motori me targa EL 519 D me drejtues 15-vjeçarin me iniciale D. S. është përplasur me një biçikletë, që drejtohej nga 69-vjeçari Meleq Baushi. Në motor ndodhej edhe një pasagjer 15-vjeçar, R. C. Të dy janë plagosur rëndë dhe janë transportuar në spital”. Sipas burimeve spitalore, tre të plagosurit ndodhen në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit në gjendje të rëndë shëndetësore. Burime nga policia bëjnë me dije se biçikleta i ka prerë rrugën motorit, i cili ishte me shpejtësi të madhe. Zona te Kryqëzimi i Cërrikut shpesh bëhet problematike për kalimin si të automjeteve, ashtu edhe të këmbësorëve.
Ndërsa mbrëmjen e së premtes gjeti vdekjen një 28-vjeçar nga fshati Strum i Fierit, në një aksident rrugor në segmentin e rrugës nacionale Fier-Roskovec. Sipas burimeve të policisë, Altin Kalivaçi, i cili drejtonte një makinë tip audi me targa të Fierit, u godit nga një automjet tjetër, tip Volvo, edhe kjo me targa të Fierit, që drejtohej nga 39-vjeçari Arqile Mita, nga qyteti i Fierit. Burimet e policisë bënë të ditur se nga përplasja mes dy automjeteve u plagos rëndë dhe 57-vjeçari Lili Kola nga qyteti i Roskovecit, që udhëtonte bashkë me viktimën. I plagosur mbeti dhe vetë shkaktari i aksidentit, i cili u ndalua rreth 90 minuta më pas, në spitalin e qytetit të Fierit, me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërsa dy ditë më parë u bllokua aksi Tiranë-Durrës për shkak të një aksidenti. Ardhja e emigrantëve për festa rrit fluksin e mjeteve në qarkullim dhe për pasojë rritet ndjeshëm edhe numri i aksidenteve në këtë kohë.

SHKURT
Festa kthehet në luftë, i mituri plagos me armë dy të rinj

DURRËS – Festa e Vitit të Ri mes një grupi shokësh buzë detit ka përfunduar me gjak pasi një i mitur ka qëlluar me armë zjarri duke plagosur dy bashkëmoshatarët e tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy adoleshentë janë plagosur dje, rreth orës 13.00, me armë zjarri gjatë një feste që po organizohej në një nga lokalet e Shkëmbit të Kavajës. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur se autori i krimit, S.A., 16 vjeç, është kapur vetëm një orë pas ngjarjes. Të plagosurit janë dërguar në spitalin e qytetit dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Gjendet kufoma në Shkumbin, dyshime për biznesmenin Latollari

ELBASAN - Një kufomë e seksit mashkull, rreth 40-50 vjeç, u gjet pasditen e djeshme buzë lumit Shkumbin në fshatin Bujqës të Rrethit të Elbasanit. Nga hetimet paraprake të policisë mendohet se kufoma mund t’i përkasë biznesmenit Hekuran Latollari, i cili që prej një muaji rezulton i zhdukur. Sipas hetimeve, veshja e kufomës korrespondon me veshjen që të afërmit e tij kanë deklaruar në polici. Hetimet për identifikimin e plotë të kufomës po vazhdojnë. Gjatë muajit të fundit janë denoncuar 5 raste zhdukjesh në Elbasan, tre prej personave janë gjetur pas kërkimeve të bëra nga policia.

24 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›