“Eagle Mobile” bursa studimi për fëmijët jetimë
Kompania celulare “Eagle Mobile” ka vendosur t’u vijë në ndihmë fëmijëve jetimë. Në sajë të një iniciative të re, kjo kompani ka vendosur të jetë më pranë kësaj kategorie fëmijësh. Konkretisht, “Eagle Mobile” ka vendosur të japë bursa studimi për këto fëmijë. Bëhet fjalë për 20 bursa studimi, 10 për studime në shkollë të mesme dhe 10 për në universitet. Konkretisht kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri “Eagle Mobile”, ka lançuar dje iniciativën “Biznesi në mbështetje të fëmijëve jetimë” së bashku me 23 kompani, biznese dhe organizata me emër në vend. Është hera e parë që një kompani ndërmerr një nismë të tillë në Shqipëri. Fillimisht në një takim të përbashkët pjesëmarrësit vendosën të ngrenë një strukturë të përbashkët, për të kontribuar për fëmijët jetimë gjatë vitit 2009. “Ky është një projekt i përbashkët jo vetëm i ‘Eagle Mobile’. Ne i falënderojmë të gjithë kolegët që ndodhen këtu, duke treguar një shembull unik se biznesi mund të kontribuojë për pjesët e tjera në nevojë të shoqërisë. ‘Eagle Mobile’ do të akordojë 20 bursa studimi, 10 për studime në shkollë të mesme dhe 10 për në universitet”, tha ndër të tjera drejtori i përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin. Ndër kompanitë që i është bashkuar kësaj nisme është edhe “Panorama”. Drejtues të kompanive që i janë bashkuar kësaj nisme të re të “Eagle Mobile” shprehën dje mbështetjen e tyre, duke ofruar ndihma dhe projekte direkte për fëmijët jetimë shqiptarë. Në emër të Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Elvana Hana e përshëndeti nismën duke garantuar mbështetje të plotë dhe asistencën e nevojshme për realizimin e tij. Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Fëmijëve Shqiptarë, Ilir Çumani tha se, “ky zhvillim është për t’u marrë shembull nga të gjitha kompanitë dhe bizneset në vend”. Në këtë konferencë morën pjesë edhe 20 fëmijë jetimë me rezultate shumë të larta në mësime.