E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundojnë 86% e punimeve në tunelin e Kalimashit

 

Punimet në tunelin e Kalimashit, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, janë realizuar në masën 86%. Burime pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit u shprehën dje se rruga po ecën sipas ritmeve të duhura dhe se ajo do të përfundojë në qershor të vitit 2009. Në rrugë do të jenë parashikuar të vendosen edhe pajisjet elektromekanike të tunelit, që nuk janë pjesë e punimeve tipike të një rruge.     Aktualisht po punojnë mbi 3500 punonjës dhe për të arritur një progres të tillë punimesh po përdoren rreth 1300 makineri të tipeve të ndryshme. Segmenti Rrëshen-Kalimash është pjesë e autostradës Durrës-Morinë, 170 km e gjatë, e cila lidh bregun e Adriatikut me kufirin e Kosovës dhe rajonin. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor është veçanërisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sepse lidh tregjet e Europës Juglindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare, nëpërmjet portit të Adriatikut në Durrës. Si gjatë ndërtimit, edhe pas përfundimit, autostrada do të sjellë zhvillim ekonomik në zonën verilindore të vendit, duke tërhequr sipërmarrje dhe turistë në terrenin malor të kësaj zone. “Bechtel-Enka” po punon përgjatë 61 km të autostradës. Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë edhe një ndër premtimet elektorale të qeverisë demokrate. Realizimi i këtij projekti ka patur një kosto të lartë për qeverinë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›