E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çuçi: E majta nuk vjen në pushtet me Ramën

 

Leontiev Çuçi, sekretar për marrëdhëniet ndërkombëtare në PSV ’91, deklaroi dje se vendimi për t’u bërë pjesë e strukturave të kësaj partie erdhi pasi, PS-ja, pjesë e së cilës ai kishte qenë, me humbjen e zgjedhjeve të 2005 dhe ardhjen në krye të PS-së së Ramës nuk kishte më tiparet e një partie demokratike dhe moderne. “PS origjinale me ardhjen në pushtet të Ramës dhe klanit të tij nuk ekziston më si e tillë, ndaj PSV ‘91 u krijua për të shprehur vazhdimësinë e partisë tradicionale socialiste”, deklaroi ai. Sipas Çuçit, e majta nuk vjen dot në pushtet me Ramën. “E majta nuk mund të fitojë pa votat e LSI-së dhe PSV ‘91”, tha ai. Sipas Çuçit, deri në 2005-ën, PS-ja ka pasur evolucion pozitiv, ka pasur krijimin e institucioneve me nivel të standardeve evropiane. “Tashmë Partia Socialiste me Ramën në krye njeh vetëm autoritetin e urdhrit, ku ai që e zbaton është pjesë e grupit, në të kundërt është kundër Ramës. PS-ja është më shumë një parti e administratës bashkiake”, tha ai. Lidhur me përçarjen e së majtës, sekretari për marrëdhëniet ndërkombëtare në PSV ‘91, vlerësoi se përçarja është produkt i Ramës dhe politikës së tij përjashtuese. Sipas Çuçit, sondazhet e porositura nga Rama në lidhje me përqindjen elektorale të LSI-së janë të pasakta, janë të manipuluara politikisht. “Ndërsa pretendimi i PSV ‘91 ka objektiv minimal të bëhet parti parlamentare dhe me objektiv maksimal të bëhet grup parlamentar”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›