Kartat, PS: Qeveria nuk mbajti premtimet
Partia Socialiste denoncoi dje vonesat, sipas saj të patolerueshme në procesin e pajisjes me karta identiteti. Sekretari organizativ Blendi Klosi tha dje gjatë një deklarate për shtyp nga selia e PS se “qeveria jo vetëm ka shkelur të gjitha afatet, por po gënjen edhe në shifrat për shqiptarët që kanë marrë kartën e identitetit. Premtimi fillestar ka qenë që brenda 28 shkurtit do të fillonte aplikimi për letërnjoftimet elektronike në të gjithë vendin, d.m.th në 383 njësi të qeverisjes vendore. Sot kur jemi në datën 2 mars 2009, ky aplikim ka filluar vetëm në 72 nga këto njësi, pa u zbatuar bile as datat e parashikuara në njoftimin zyrtar”. Sipas Klosit “në shkallë vendi kanë aplikuar deri më sot 110.100 zgjedhës, nga të cilët rreth 78000 janë në Tiranë, ku ky proces po mbush 2 muaj që ka filluar. Realisht janë shpërndarë vetëm 2700 letërnjoftime elektronike në Bashkinë e Tiranës. Me këto ritme, kuptohet se objektivi është shumë larg premtimeve të bujshme dhe të herë pas hershme të qeverisë”, tha Klosi. Sipas PS, edhe atje ku procesi konsiderohet i filluar, ai po ecën me shumë ngadalësi dhe janë konstatuar një sërë vështirësish. Në këtë linjë, Klosi përmendi pasaktësitë në identifikim në momentin e paraqitjes së zgjedhësit, ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, mangësitë në njohjen e teknikës së punës nga një pjesë e operatorëve që kryejnë aplikimin apo deri në marrjen e shenjave të gishtërinjve. Sekretari socialist u shpreh se me këto ritme objektivi është shumë larg premtimeve të bujshme, ndërsa procesi është në prag dështimi edhe pse zëvendësministri Pone jep garanci për afatet e tij.