Eagle Mobile, dhurata për fëmijët jetimë
Kompania celulare “Eagle Mobile” ka shpërndarë dje dhurata për fëmijët jetimë. Kjo kompani ka ndërmarrë së fundi nismën “Biznesi në mbështetje të fëmijëve jetimë”. “Nuk mund të presim të plakemi si kompani, që të ndërmarrim nisma të tilla”, tha drejtori i përgjithshëm i “Eagle Mobile” Ali Taskin. Ai priti me këtë rast zonjën Liri Berisha, presidente e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Ilir Çumanin, drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Lajla Përnaskën deputete e Partisë Republikane në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe fituesin e “Big Brother Albania” Arbër Çepanin. Njëzetë të rinj jetimë të moshës 15-17 vjeç, u pritën nga Taskin, i cili u dhuroi atyre nga një aparat celular, si dhe shumë materiale shkollore të nevojshme për ta. Ai shtoi se të rinjtë jetimë, që do të dalin me rezultate të larta, do të gjejnë patjetër një vend punësimi në “Eagle Mobile”. Ndërkohë Liri Berisha, falënderoi kompaninë “Eagle Mobile” për këtë sipërmarrje shumë të rëndësishme sipas saj. “Përveç kësaj unë u bëj thirrje të gjitha kompanive dhe bizneseve, që t’u dalim për zot këtyre fëmijëve në nevojë, që ta ndjejnë edhe ata ngrohtësinë e munguar familjare”, tha ajo.