E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca: 10 % gjobë për abuzuesit e karburanteve

 

Fabiola Çela

Ka nisur dje seanca dëgjimore e Autoritetit të Konkurrencës me importuesit e karburanteve. Nëse në përfundim të seancave dëgjimore Autoriteti i Konkurrencës del në konkluzionin se në tregun e karburanteve nuk ka konkurrencë të lirë, atëherë tregtarët do të gjobiten. Vlera e gjobës do të jetë 2 deri në 10 për qind të xhiros vjetore.
Hetimi
Autoriteti i Konkurrencës ka zhvilluar dje seancën e parë dëgjimore me kompanitë e karburanteve. Një seancë e tillë nisi pas përfundimit nga Autoriteti i Konkurrencës i “Hetimit të Thelluar në Tregun e Karburanteve”, ku konkludohej se vihen re kufizime të konkurrencës në treg, si pasojë e sjelljes së koordinuar mes ndërmarrjeve kryesore, që kanë fuqi të ndjeshme në tregun e shumicës dhe ndërmarrjeve të integruara vertikalisht në tregun e shitjes me pakicë. Ose e thënë ndryshe në tregun e karburanteve nuk ka konkurrencë të lirë. Kompanitë e mëdha të karburanteve bashkëpunojnë me tregtarët e pakicës për të fiksuar çmime të larta për shitjen e karburanteve. “Në seancat dëgjimore të zhvilluara dje, mësohet të jenë paraqitur 2 ndërmarrje, ndërsa 1 ndërmarrje nuk u paraqit. Gjatë muajit janar do të zhvillohen edhe seancat dëgjimore me ndërmarrjet e tjera, të cilat sipas procedurave ligjore, kërkuan shtyrje të seancës. Me përfundimin e të gjitha seancave dëgjimore me ndërmarrjet nën hetim, Komisioni i Konkurrencës do të marrë vendimet përkatëse në bazë të ligjit ‘Për Mbrojtjen e Konkurrencës’”, thuhet në deklaratën për shtyp të autoritetit. Pra, e thënë më thjesht, në rast se konstatohet shkelje e ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit”, ndaj kompanive do të aplikohen gjoba, që shkojnë nga 2 deri në 10 për qind të xhiros vjetore. Jo pak herë tregtarët e karburanteve janë vënë në qendër të vëmendjes të mediave. Shkak për këtë ka qenë çmimi i karburanteve. Kjo pasi sa herë që çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare pësonte rritje kjo reflektohej menjëherë në tregun vendas, ndërkohë që e kundërta ndodh në rastet kur çmimi i karburanteve pëson rënie. I pyetur nga mediat pak ditë më parë kreu i Financave Bode, ka deklaruar se nuk do të ndërhyjë në çmimet e shitjes së karburanteve. Madje, ai u ka dalë në mbrojtje importuesve edhe në lidhje me fitimet e tyre. “Është krijuar ideja se ka një marzhë shumë të madh fitimi, mund t’ju them që nuk është aq i madh sa ç’mendoni ju. I gjithë tregu i karburanteve luan për 4–5 lekë të reja”, ka thënë ai.

Bursat, një fuçi naftë shitet me 36.37 dollarë 
Një fuçi naftë në bursat ndërkombëtare u kuotua dje me 36.37 dollarë. Vetëm brenda muajit dhjetor çmimi i arit të zi në bursat e huaja është ulur me 30 për qind. Shkak për këtë është kriza globale financiare, që ka përfshirë shumë ekonomi të mëdha. Në fakt, mediat e huaja theksojnë se një fuçi naftë nuk është shitur me 40 dollarë qysh prej verës së vitit 2004. Në një situatë të tillë ministrat e naftës të OPEK-ut reaguan në një takim në Algjeri ndaj krizës aktuale. Ata bënë thirrje për uljen e prodhimit për të stabilizuar çmimet. Në një mbledhje të zhvilluar pak ditë më parë ministrat e kartelit, ranë dakord për uljen e prodhimit deri në 2 milionë fuqi në ditë. Rusia, si njëra ndër prodhueset kryesore të naftës, por jo anëtare e OPEK-ut, ka njoftuar se do të shkurtojë eksportin e naftës me qëllim të fuqizimit të çmimit. Në gusht të këtij viti çmimi i arit të zi theu çdo rekord. Një fuçi naftë në bursat e huaja u shit me 145 dollarë. Por tashmë çmimi i karburanteve në bursat ndërkombëtare kë pësuar një rënie drastike. Rënie e cila për fat të keq në tregun vendas nuk është reflektuar siç duhet. Në pikat e karburanteve në vend një litër naftë eurodiezel shitet me 115-120 lekë. Ndërkohë që, referuar çmimit të karburanteve në tregun e huaj, kjo rënie e çmimit në tregun vendas duhet të ishte edhe më e lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›