E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat në garën e Tiranës

 

ADI SHKEMBI

Bujar Nishani, Lulzim Basha dhe Aldo Bumçi janë tre emrat e rinj që janë propozuar për kryetar të degës së Partisë Demokratike në Tiranë. Brenda javës së fundit në seksione, ku po zhvillohen zgjedhjet, janë propozuar edhe disa prej figurave kryesore të kabinetit qeveritar. Me përfshirjen e ministrit të Jashtëm, atij të Brendshëm dhe ish-ministrit të Drejtësisë, aktualisht zëdhënës i grupit parlamentar të PD-së, pritet që gara për degën më të madhe të Partisë Demokratike të bëhet edhe më e ashpër, megjithëse nga propozimet e seksioneve deri në hyrjen në garë duhet të kalohen edhe disa procedura të tjera. Por disa seksione nuk e kanë përfunduar ende procesin zgjedhor dhe, sipas burimeve, nuk përjashtohet mundësia që pjesë e garës të bëhen edhe emra të tjerë të spikatur të demokratëve. Përveç tre kandidaturave, prej disa kohësh në garë janë edhe katër kandidatë të tjerë. I pari që shpalli kandidaturën ishte pikërisht ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili hyri në garë, ashtu siç e pranoi edhe vetë, duke u konsultuar vetëm me statutin e Partisë Demokratike. Pas tij emri më i përfolur ishte ai i ish-zv.ministrit të Ekonomisë, tani drejtor i Korporatës Elektro-energjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi. Publikisht Bojaxhi është shprehur se synon kreun e Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që kohët e fundit ai ka qenë aktiv me disa dalje në publik si dhe në debatet me kreun e Bashkisë, Edi Rama, në mbledhjet e këshillit Bashkiak. Pas Bojaxhiut ishte deputeti i kryeqytetit, Edi Paloka, i cili u shpreh i gatshëm të hyjë në garë nëse seksionet do ta propozojnë. Disa prej seksioneve kanë propozuar pikërisht emrin e tij. Ndërkohë së fundi në garë u përfshi dhe deputetja e maxhorancës, Lajla Përnaska. Burimet bëjnë të ditur se procesi i zgjedhjeve në seksione është drejt fundit dhe brenda 14 ditëve të ardhshme ai do të mbyllet, ndërkohë që emrat e kandidatëve që do të dalin nga të gjitha seksionet do të depozitohen në kryesinë e PD-së. Me përfundimin e këtij procesi do të nisin zgjedhjet për 11 grupseksionet që ka dega e PD-së së Tiranës. Sipas statutit të Partisë Demokratike të miratuar në Kongresin e vitit 2005, pavarësisht faktit se kush propozohet si kandidat për një nga degët e Partisë Demokratike, do të jetë kryesia qendrore në Tiranë ajo që do të vendosë përfundimisht se mes cilëve kandidatë do të votohet. Në nenin 27 të statutit të forcës më të madhe politike në vend, në kapitullin “Kryetari” thuhet se, është pikërisht kryesia qendrore ajo që formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat. Më konkretisht, sipas këtij neni: “Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga kryesia e PDSH-së. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat”. Lidershipi i PD-së i ka kushtuar vëmendjen kryesore zgjedhjeve në Tiranë dhe, kjo u pa fare qartë kur në një prej mbledhjeve të kryesisë Kryeministri Berisha mori në dorë drejtimin e grupit të kryeqytetit.

Bujar Nishani
Në vitin 2001 u zgjodh sekretar i Përgjithshëm në degën e PD-së së Tiranës, ndërkohë që në zgjedhjet lokale të vitit 2003 fitoi mandatin e këshilltarit në Këshillin Bashkiak. Një vit më vonë u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, ndërkohë që në vitin 2005 u bë edhe anëtar kryesie. Në zgjedhjet e 3 korrikut mori mandatin e deputetit në një zonë të vështirë si ajo e Kombinatit përballë ish-ministrit të Brendshëm, Igli Toska. Pas rikompozimit të qeverisë në vitin 2007 u emërua në postin e ministrit të Brendshëm, post të cilin e mban ende.

Lulzim Basha
U bë pjesë e PD-së në fillim të vitit 2005, kur Kryeministri Berisha inicioi krijimin e Komitetit të Orientimit të Politikave. Fillimisht si anëtar i KOP-it dhe më pas koordinator i tij, Basha u bë një prej figurave kryesore të PD-së në zgjedhjet e përgjithshme. Në 3 korrik ai fitoi mandatin e deputetit dhe u emërua ministër në ministrinë me buxhetin më të madh, pikërisht te Punët Publike dhe Transportet. Në prill të vitit të kaluar ai u emërua në postin e ministrit të Jashtëm, ndërkohë që në zgjedhjet lokale ishte drejtues i PD-së për fushatën në Elbasan.

Aldo Bumçi
U bashkua me Partinë Demokratike në fillim të vitit 2005 përmes Komitetit të Orientimit të Politikave. Në kongresin elektoral Bumçi u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i kryesisë së PD-së. Në zgjedhjet e 3 korrikut ai fitoi mandatin e deputetit në një prej zonave të Lezhës dhe në shtator u emërua ministër i Drejtësisë. Periudha në të cilën Bumçi drejtoi këtë ministri përkoi me përplasjet e maxhorancës me kryeprokurorin. Pas humbjes së zgjedhjeve lokale, ai la postin e ministrit. Pak kohë më pas ai mori postin e zëdhënësit të grupit parlamentar të PD-së.

Besnik Mustafaj
Deputet prej dy legjislaturash, Mustafaj është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe sekretar për marrëdhëniet me jashtë. Në shtator 2005 ai mori postin e ministrit të Jashtëm, post të cilin e la në maj të vitit 2007. Mustafaj ka qenë një prej miqve të afërt të Kryeministrit Berisha deri sa dha dorëheqjen.

Gjergj Bojaxhi
Me rikthimin në pushtet të Partisë Demokratike, në shtator të vitit 2005 u emërua në postin e zv.ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës. Në zgjedhjet lokale të vitit 2007 ai fitoi një mandat në Këshillin Bashkiak, ndërkohë që me shkarkimin e Andi Belit zuri postin e kreut të KESH-it.

Edi Paloka
Eshtë zgjedhur deputet në dy legjislaturat e fundit. Në vitin 2001 ai fitoi mandatin përballë ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2005 humbi kundër ish-kreut të Doganave, Shpëtim Idrizi. Ai arriti të marrë një mandat deputeti vetëm dy vjet më vonë, në zgjedhjet në zonën 33.

Përnaska, e vetmja zonjë në garën për PD-në e Tiranës

Lajla Përnaska është e vetmja zonjë deri tani e propozuar për kryetare të degës së PD-së në Tiranë. Deputetja e zonës 38 të kryeqytetit është propozuar nga grup-seksionet e PD-së për të qenë kandidate për kreun e PD-së së Tiranës. Deputetja që dikur ka aderuar në listat e PR-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, ka gjetur mbështetje në propozimet e grup-seksioneve të demokratëve të Tiranës për të qenë në garën drejtuese e një prej degëve më të rëndësishme të PD-së. Në një prononcim për gazetën pak ditë më parë, ajo tha se “e vlerësoj shumë një gjë të tillë. Propozimet e bëra i vlerësoj. Kjo tregon se gara për PD-në e Tiranës do jetë e hapur dhe do të sjellë mbi të gjitha prurje të reja në këtë parti”. Fillimet e Lajla Përnaskës me Partinë Demokratike janë pikërisht në vitin 1995, kur ajo ishte anëtare e Lidhjes Demokratike të Gruas. Në periudhën 1999-2002 ajo ishte drejtuese e Departamentit të Politikave sociale e gjinore pranë Partisë Demokratike. Për një periudhë gjashtëmujore nga maji deri në tetor të vitit 2006 ajo ishte anëtare e maxhorancës në komisionin hetimor për hetimin e shkarkimeve në administratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›