E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali, pro dhe kundër

Klement Kole* 

Festivali i Këngës në Radio Televizion është veprimtaria më e rëndësishme në këtë zhanër në muzikën shqiptare. Për dekada me radhë krijuesit më të talentuar, me krijimtarinë e tyre kanë dhënë një ndihmesë të çmuar në kultivimin e gjuhës muzikore, në saje të transfigurimit të motiveve  dhe përjetimeve emocionale, të cilat janë trajtuar në mënyrë origjinale, duke i pasuruar me elementë bashkëkohorë, mbështetur në veçoritë stilistike të individualitetit të tyre krijues. Krejt e kundërta ndodhi në Festivalin e 47-të të këngës në RTSH. Në krijimtarinë e festivalit u vu re shmangie nga praktikat krijuese që karakterizojnë një proces të mirëfilltë krijues. Në tingëllimin e këngëve, në përgjithësi, ndjehej mungesa e atij shtjellimi origjinal të kompozitorit, në materializimin e mendimit kompozicional. Shpesh strukturat melodike tingëllonin tepër të përgjithshme dhe aspak origjinale. Kjo, mendoj si rrjedhojë e mosnjohjes së mjeshtërisë kompozicionale, e cila u reflektua në: paqartësinë e formës, në mungesën e sensit në përdorimin e mjeteve shprehëse gjatë materializimit të mendimit kompozicional. Kështu, mund të përmendim këngën me titull: Zona zero, me tekst dhe muzikë të F. Mumajezi, interpretuar nga S. Malaj. Kënga pasi përsëritet dy herë, dëgjohet përsëri refreni si dhe tejzgjatje në formën e efekteve, të cilat nuk sollën ndonjë element të ri në tingëllimin e këngës. Përkundrazi një strukturë e tillë sjell zbehje të emocionit. Gjithashtu mund të përmendim këngët: Dikush mungon, kompozuar nga K. Popa ku vëreheshin zhvillime të panevojshme në linjën e këngëtares. S’jam baladë, kompozuar nga Rexhepagiq dhe Sunrise, veç të tjerash do përmendja solo-n e ekzekutuar nga kitara, e cila gjithashtu nuk përbënte gjetje artistike nga krijuesit e kësaj kënge.
Këngë e cila meriton të vlerësohet ishte ajo me titull Një jetë kompozuar nga Shpëtim Saraçi. Krijim korrekt nga pikëpamja profesionale, e perceptueshme dhe që komunikoi natyrshëm me publikun. Forma që kishte përzgjedhur kompozitori ishte në funksion të përmbajtjes dhe karakterizohej nga sensi i masës.
Recitativi dhe funksioni i tij
Një element që spikati në këngët e festivalit ishte dhe recitativi. Ky element shprehës është karakteristikë për format e mëdha të muzikës skenike si për shembull Opera; Opereta ku përdoret në arje si dhe në momente që diktohen nga zhvillimi i subjektit. Ndërsa kënga nuk ka ato dimensione artistike ku mund të gjejë shprehje recitativi. Në dallim nga kënga, subjekti në një vepër skenike shtjellohet në disa skena, tablo. Në këngë për vetë veçoritë që e karakterizojnë, përmbajtja shprehet në një formë koncize dhe të drejtpërdrejtë sa i përket komunikimit me publikun në aspektin emocional. Kështu që përdorimi i recitativit do të prishte raportet që krijojnë ekuilibrin e mjeteve shprehëse.
      Forma muzikore
Struktura ka një rol të rëndësishëm në një krijim artistik. Ajo përfaqëson një mënyrë përmes së cilës krijuesi komunikon me publikun. Krahas këtij aspekti duhet të kemi parasysh edhe një koncept tjetër që ka të bëjë me idenë estetike, mënyrën se si kompozitori do të trajtojë motivin, përjetimet emocionale. Krijimi i një skeme më të zgjeruar, në të cilën krijuesi do të shprehej duke u bazuar në veçoritë stilistike të mjeteve shprehëse, përfaqëson procesin krijues në tërësi, pra kompozimin e këngës. Mendoj se në një proces të tillë merr rëndësi të veçantë gjetja e një strukture nga kompozitori ku ideja estetike të gjejë shprehjen e vet në mënyrë të qartë dhe lehtësisht të perceptueshme nga publiku. Krijimi i kësaj strukture duhet të jetë në përshtatje me përmbajtjen emocionale. Për këtë teoricieni modern i veprës së hapur Umberto Eco midis të tjerash thotë: “Një formë është e vlefshme estetikisht kur ajo është e perceptueshme nga publiku”.
Sot në tregun muzikor (themi tregu muzikor, pasi kjo krijimtari, po e quaj, nuk ka të bëjë aspak me muzikën profesioniste shqiptare) ekzistojnë këngë të cilat janë krijime amatoreske, me nivel të ulët artistik, që në më të shumtën e rasteve janë krijuar duke u bazuar në struktura melo–ritmike të vendeve të rajonit, por dhe më gjerë. Por nuk mjafton vetëm me kaq. Një pjesë e madhe e këtyre këngëve janë krijuar duke cituar refrene ose pjesë të tjera të formës të këngëve: bullgare, serbe etj. Për fat të keq edhe Festivali i 47 i Këngës në Radio Televizion u ndikua në një pjesë të këngëve nga këto dukuri të dëmshme për kulturën tonë kombëtare. Kënga Nuk je ti, teksti dhe muzika J. Lekocaj, kënduar nga J. Lekocaj ishte një këngë tipike amatoreske, e varfër në emocion, e kufizuar në mjete shprehëse. Vërtet kënga është gjinia më e përhapur, por kjo nuk do të thotë që çdo kush mund të shkruajë këngë. Sensi krijues i të shprehurit kërkon kulturë muzikore, mjeshtëri artistike, njohje të teknikës kompozicionale. Mendoj se kjo këngë nuk përbënte prurje për t’u përzgjedhur si këngë pjesëmarrëse në festival. Po kështu do të vazhdoja me këngët e tjera si: Fajtore për ngrohjen globale, teksti dhe muzika A. Poshka, kënduar nga A. Poshka. Jo vetëm pjesëmarrja e aktorit të mirënjohur G. Radoja, por edhe e krejt trupës së aktorëve të Teatrit Kombëtar, nuk do ta shpëtonte këtë këngë nga niveli i ulët i krijimit, intonacione të konsumuara dhe mungesë shprehjeje. Si ka mundësi që organizatorët e festivalit: drejtori artistik P. Çako dhe redaktorët e radios të pajtohen me këto nivele të cilat nuk përfaqësojnë vlerat e kulturës sonë kombëtare, krijuesit më të talentuar të muzikës profesioniste shqiptare?! Aromë mesdhetare Muzika G. Myftaraj, teksti P. Laço, kënduar nga Shpat Kasapi ishte kënga tipike që përfaqësonte antivlerat në muzikën shqiptare. Eshtë tipi i këngës ku autori nuk mund të shprehet në një mënyrë origjinale në krijimtari dhe përdor praktika të tilla, ose një “aromë” të tillë siç e quan ai. Këto intonacione tingëllojnë shumë bukur në format e tyre autentike të shprehjes dhe jo të serviren si sajesa të quajtur “aroma” me autorësinë e G. Myftarajt, kënduar nga Sh. Kasapi, cilësitë vokale, niveli artistik i të cilit është shumë larg me ato të Festivalit Kombëtar të Këngës. Me këtë përgjegjësi profesionale dhe shije artistike të drejtorit artistik P. Çako dhe redaktorëve të festivalit, të bën të mendosh që në këtë skenë, që ka bërë historinë e këngës shqiptare, ku kanë debutuar me krijimtarinë e tyre figura madhore të muzikës si: T. Daija, N. Zoraqi, A. Prodani, T. Harapi, K. Laro, mjerisht, nuk është çudi që të dëgjohen dhe këngë të tipit “alo, alo, ambulanca”.
  *Kompozitor studiues muzike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›