E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eagle Mobile”, kompania që do të ofrojë shërbimin celular për administratën



Kompania më e re e telefonisë celulare në vend, “Eagle Mobile”, ka shënuar një tjetër arritje të madhe në rrugën drejt konsolidimit në tregun shqiptar të telekomunikacionit. Së fundi, kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri është përzgjedhur si operatori që do të ofrojë shërbimet e tij celulare për punonjësit e administratës publike. Përzgjedhja është bërë pas një gare të organizuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, nëpërmjet një komisioni të vlerësimit të ofertave që u shpallën nga operatorët celularë. Gara u zhvillua më datën 12 janar 2009 dhe “Eagle Mobile” propozoi ofertën më të mirë dhe më ekonomike për institucionet. MPPTT-ja, me një vendim të datës 20 janar 2009, vendosi t’i japë të drejtën kompanisë “Eagle” të ofrojë shërbimet e saj për punonjësit e 8 institucioneve shtetërore të rangut ministror. Mëse 60 mijë punonjës të administratës do të kenë mundësinë të përdorin shërbimet më të reja që “Eagle” ka sjellë në tregun shqiptar të telekomunikacionit. Ky besim vjen pas një pune gjigante të kryer nga “Eagle Mobile”. Në një kohë rekord, së bashku me kryerjen e mbulimit dhe dhënien e shërbimeve, “Eagle” ka shënuar tashmë 300 mijë abonentë në të gjithë vendin. “Puna e Eagle Mobile në këta muaj ka treguar fuqinë dhe seriozitetin e kësaj kompanie. Falënderojmë institucionet që na besuan dhe që përzgjodhën të jenë pjesëtarë të familjes sonë. Falënderojmë qytetarët anekënd vendit që presin edhe në radhë për të marrë numrat dhe shërbimet tona”,- tha drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin, në një deklaratë për mediat. Ai shtoi se punonjësit e administratës publike mund të marrin edhe deri në 2 numra të tjerë për familjarët e tyre. “Eagle nuk mendon vetëm për komunikimin në institucion por edhe komunikimin e tyre familjar”,- tha drejtori Taskin. “Eagle” do të vazhdojë me surpriza të reja në vitin 2009.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›