E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet në rrjet do të lënë pa drita Tiranën dhe Fushë-Krujën në fundjavë



Kufizimet e energjisë elektrike do të rikthehen gjatë fundjavës për banorët e kryeqytetit, por edhe për rrethinat e saj. Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe ai i Shpërndarjes kanë bërë të ditur dje për mediat se për shkak të investimeve që do të bëhen në rrjet, kryeqyteti dhe Fushë-Kruja do të kenë kufizime të pjesshme të energjisë elektrike. Sot energjia do të mungojë në Fushë-Krujë nga ora 11:00- 14:00 të mesditës. Ndërsa ditën e diel nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 12:00 të ditës, energjia elektrike do të mungojë përgjatë bulevardit “Zogu i Parë” dhe atij “Zhan Dark”. Po ashtu në kryeqytet energjia elektrike do të mungojë dhe në rrugën “Myslym Shyri”, në Rrugën e Kavajës, në Rrugën e Durrësit, në sheshin “Avni Rustemi”, zonën pranë Shallvareve, “Selvisë” si dhe në zonën pranë Ministrisë së Jashtme. Kufizimet do të vijojnë edhe gjatë ditës së hënë në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve, Qytetin Studenti, si dhe te Rruga Bardhyl. Operatori i Sistemit të Transmetimit bëri të ditur se kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, konsumatorëve dhe biznesit për situatën e ndërprerjes së energjisë elektrike.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›