Depresioni, vetëhelmohet 26-vjeçarja
DURRËS – Një tjetër tentativë vetëvrasjeje i është shtuar numrit të madh të akteve vetëflijuese të muajit të parë të vitit 2009. Një vajzë 26-vjeçare ka konsumuar një substancë helmuese dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ditën e enjte, rreth orës 19.30, shtetasja Sonila P., lindur në Kavajë dhe banuese në Lagjen Nr. 13 në Shkozet, është dërguar nga familjarët e saj në spitalin rajonal të qytetit pasi kishte pirë lëndë helmuese. “Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasja e sipërpërmendur kishte pirë lëndën helmuese në banesën e saj, por që nuk dihet për momentin se çfarë lloji është kjo lëndë”, - tha zëdhënësja e Policisë së Qarkut. Sipas saj, “materiali i mbetur në gotë është dërguar për ekspertim në laborator. Aktualisht, 26-vjeçarja ndodhet e shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku po merr mjekim më të specializuar. Burimet e policisë vendore pohojnë se kanë nisur hetimet për këtë ngjarje. Në tri javët e para të janarit janë regjistruar akte vetëflijuese thuajse çdo ditë. Ndërsa për vitin 2008 ka pasur mbi 340 persona që i kanë dhënë fund jetës në rrethana nga më të ndryshmet.
Përmet, nuk do të ketë gjykatë pas 1 shkurtit, çështjet shkojnë në Gjirokastër
PËRMET – Ristrukturimi i gjykatave po përfundon në Përmet, pasi që prej datës 1 shkurt ky rreth nuk do të ketë më institucionin 70-vjeçar për të gjykuar çështjet e qytetarëve. Me fillimin e muajit tjetër, çështjet do të kalojnë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër. Kjo pritet të sjellë probleme për qytetarët pasi do të duhet që ata të udhëtojnë më shumë se 100 kilometra për të ndjekur një proces apo dëshmuar në sallën e gjyqit.
Me anë të një shpalljeje, të vendosur në hyrjen e godinës së gjykatës së qytetit, dje është njoftuar se gjyqet do të kalojnë në Gjirokastër. Pas këtij vendimi, administrata e gjykatës do të shërbejë vetëm për dhënien e vërtetimeve. Nga ky vendim, më të prekurit janë banorët e komunave të thella: Frashër, Ballaban, Çarshovë dhe Dëshnicë. Numri i çështjeve të gjykuara për vitin 2008 rezultonte 528, i barabartë ky numër me çështjet e gjykuara në Gjykatën e Shkallës së Parë të Gjirokastrës dhe sa dyfishi i çështjeve të Tepelenës. Mbyllja e gjykatës 70-vjeçare të Përmetit është pjesë e ristrukturimit të Gjyqësorit në të gjithë vendin, ku u mbyllën 8 institucione të këtij lloji në të gjithë vendin.
24 Janar 2009