E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operatori i katërt celular, tenderi shtyhet për më 20 shkurt



Tenderi për operatorin e katërt të telefonisë celulare në vend ishte parashikuar të zhvillohej dje, më datë 23 janar 2009, por bordi drejtues i ERT-së ka marrë vendimin për shtyrjen e tij për gati një muaj. Kjo shtyrje ka ardhur si rezultat i kërkesave të shumta nga kompanitë e huaja. Kështu, procedurat e tenderimit për operatorin e katërt të telefonisë celulare në vend pritet të fillojë nga puna pas datës 20 shkurt, kur është caktuar tenderi për përzgjedhjen e tij. Shtyrjen e afatit e ka bërë të ditur kryetari i Entit Rregullator të Telekomunikacioneve, Ilir Shehu, i cili ka thënë se vendimi për shtyrjen e tenderit është marrë nga bordi drejtues i ERT-së. Kjo shtyrje ka ardhur si rezultat i kërkesave që kishin bërë në Ministrinë e Telekomunikacioneve disa kompani të huaja, që kërkonin më shumë kohë për të plotësuar dokumentacionin për këtë garë. Pritet që në tender të paraqesin ofertat e tyre disa kompani ndërkombëtare. Aktualisht në tregun shqiptar operojnë tri kompani celulare, “AMC”, “Vodafone-Albania” dhe “Eagle Mobile”. Nga shifrat rezulton se në Shqipëri janë rreth 2.3 milionë përdorues të telefonisë celulare.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›