E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: “G99-a, zyrtarisht në koalicion me Partinë Socialiste”



Erion Veliaj deklaron se më 31 janar, G99-a do të regjistrohet zyrtarisht si parti politike dhe ka deklaruar bashkimin e saj me koalicionin e Partisë Socialiste. Këtë deklaratë Veliaj e bëri gjatë intervistës për Zërin e Amerikës. I pyetur se si do të hyjë G99-a në zgjedhje, Veliaj tha se deri tani ka pritur të finalizohej Kodi Zgjedhor. "Tashmë që Kodi është aprovuar dhe ka përcaktuar vetëm një formë të garimit politik, G99-a do të shndërrohet në një parti politike për të pasur mundësi të hyjë në zgjedhje. Kjo është një procedurë formale, e cila nuk ndryshon asgjë në frymën, idealin dhe energjinë e G99-s," - ka thënë Veliaj. I pyetur mbi zgjedhjen e koalicionit përkrah së cilit do të rreshtohet G99-a, i majtë apo i djathtë, Veliaj është përgjigjur se në Shqipëri nuk ekzistojnë koalicionet e majta apo të djathta. "Në Shqipëri ekzistojnë vetëm dy koalicione, ai i shkatërrimit dhe ai i ndërtimit. Ai koalicion që rrëzoi buxhetin e Bashkisë nuk është as i majtë, as i djathtë. Ai është koalicioni i shkatërrimit. Ne do të jemi në atë koalicion të përbërë nga njerëz që kanë ditur si të ndërtojnë qoftë organizata të suksesshme apo dhe qytete që po rinovohen”, - tha Veliaj.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›