“Shqipëria në erën e internetit”, vetëm 1 në 1500 veta me lidhje interneti
E. Koçi
Shqipëria, edhe pse është e rrethuar nga shtete të zhvilluara, viti 2009 e ka gjetur larg “erës virtuale”, apo e njohur ndryshe, si epoka e internetit. Me gjithë premtimet e qeverisë për të çuar internetin në çdo shkollë dhe institucion, të dhënat zyrtare që vijnë prej institucioneve prestigjioze ndërkombëtare që monitorojnë këtë shërbim, flasin për një prapambetje në këtë drejtim. Sipas një studimi të “International Telecommunication Union”, vendi ynë ka akoma prapambetje në përhapjen dhe përdorimin e shërbimit të internetit dhe rrjetit kompjuterik, mjaft i nevojshëm për kohën. Kështu, sipas raportit, “nga viti 2002 deri në vitin 2005 numri i kompjuterëve të përdorur në Shqipëri u rrit me 45 për qind, por ende vetëm 1 në 3 është i lidhur me shërbimin e internetit”. Po sipas raportit, në shkallë kombëtare 1 në 5 kompjuterë në rrjet ndodhet jashtë Tiranës, domethënë vetëm 6 për qind e tyre”.
Statistikat
Sipas të dhënave nga studimi i mëparshëm, në vitin 2006, në Shqipëri rezultonin gjithsej 75 000 përdorues interneti. Në fakt, me hyrjen e pajisjeve të reja në treg shërbimi i internetit u zhvillua shumë. Sot shumë biznese ofrojnë shërbimin përmes “Internet Caffe”-ve dhe qendrave të internetit, ku në kryeqytet i gjen edhe në shërbimin 24 orë, duke u përpjekur të tërheqin brezat e rinj. Në përgjithësi kjo grupmoshë nuk e përballon dot blerjen e një kompjuteri apo pagesën e një linje interneti në shtëpi, që duke përjashtuar shpenzimet telefonike shkon nga 16-35 dollarë, ose 15-40 për qind të të ardhurave mesatare në Shqipëri.
Internet-kafetë
Të konceptuara si bare me kompjuterë apo salla të mëdha me kompjuterë të lidhur në internet, klubet e internetit janë mjaft të rëndësishme në zhvillimin e këtij shërbimi në Shqipëri. Këto qendra janë kthyer tashmë si një tip i ri biznesi në Shqipëri. Sipas raportit të ITU-së, në Shqipëri ka më shumë se 330 qendra të tilla të përhapura më shumë në Tiranë, Durrës dhe qytetet e tjera të mëdha. Zotëruesit e internetit janë 265, nga të cilët 63 “double”, që do të thotë se kanë të drejtën të përdorin më shumë se një burim për ofrim të mëtejshëm interneti.
Shërbimet e fundit
Versioni i tetë i shfletuesit të popullarizuar të internetit “Internet Explorer”, u paraqit në versionin e tij të dytë eksperimental më 28 gusht, ndërsa versioni përfundimtar i tij ishte gati në fund të nëntorit 2008. “Internet Explorer 8 Beta 2” deri në fund të atij muaji ishte në dispozicion për shkarkim dhe shfrytëzim pa pagesë, ashtu si dhe paraardhësi i tij, versioni eksperimental “Beta 1”. Përditësimi i “Internet Explorer” në “Beta 2” do të jetë i mundur nëpërmes shërbimit “Automatic Updates”, ndërsa shfletuesi është i përputhshëm me sistemet operative “Windows XP”, “Vista” si dhe “Windows Server” 2003 e 2008.
Statistikat e përdorimit të internetit dhe popullsia:
Viti Përdorues Popullsia % Popullatës
2000 2,500 3,083,300 0.1 %
2002 30,000 3,084,586 1 %
2006 75,000 3,087,159 2.4%
24 Janar 2009