E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri hedh firmën për dy struktura në polici

Miratimi i tyre pritet të sjellë emërime të reja, sidomos për Drejtorinë e re të Policisë Rrugore

Ministri Basha miraton dy struktura të reja për policinë, ku njëra prej tyre ka qenë edhe ajo më e diskutuara kohët e fundit, që i përket policisë rrugore. Bashkë me të, ministri ka miratuar strukturën edhe për krimet e vogla, duke rikthyer përqendrimin e tyre me një drejtues të vetëm dhe jo siç është aktualisht me disa shefa seksionesh. Dy strukturat janë miratuar vetëm pak ditë më parë dhe tashmë pritet hyrja në funksionim e tyre, që do të sjellin edhe një sërë emërimesh të reja në polici.
Burimet policore bëjnë të ditur se një nga strukturat e miratuara është ajo e Policisë së Qarkullimit Rrugor. Kjo strukturë u propozua që në fillim të këtij viti, por dy muaj më parë, Basha e ktheu mbrapsht, pasi pati një sërë pakënaqësish nga drejtuesit e policisë në qarqe. Pas kthimit mbrapsht, erdhi ndërhyrja e ndërkombëtarëve, të cilët kërkuan nga ministri miratimin e kësaj strukture të re, me qëllim uljen e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore. Kështu, për herë të dytë, dokumenti shkoi në dikasterin e Bashës. Por, është ministri Basha ai që e ka rikërkuar draftin e strukturës së re, e cila tashmë ka marrë firmën e tij. E vetmja gjë e re që pritet të reflektohet në këtë strukturë është krijimi i sektorit të edukimit, që hëpërhë do të ketë një shef dhe një vartës. Sipas hartuesve të draftit, nuk do të ketë rritje të numrit të efektivave që do të shërbejnë në strukturën e re të Policisë së Qarkullimit Rrugor. Një tjetër ndryshim është pavarësia e kësaj strukture nga drejtoritë e policisë së qarqeve me qëllim që të ketë përgjegjësi vertikale dhe kjo pritet të sjellë pakësimin e numrit të aksidenteve, si dhe ulje të trafikut rrugor. Me këtë projekt pritet të ndryshohen edhe kompetencat e punonjësve të policisë rrugore, që do të veprojnë në shkallë vendi nëpërmjet 11 njësive dhe një drejtorie. Të 12 strukturat do të varen nga një drejtori në Policinë e Shtetit. Në majë të piramidës do të jetë një Drejtori e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, siç edhe është me strukturën aktuale.

Struktura tjetër e miratuar është ajo për krimet ordinere. Kështu, seksionet që varen nga komisariatet do të bashkohen. Nëse ato i përkasin fushës kriminale do të kalojnë në një seksion të vetëm dhe do të varen nga një drejtues, që të lë përshtypjen e rikthimit të “shefit të krimeve”, siç ishte disa vite më parë. Ndërkaq, edhe në rend do të bëhet e njëjta procedurë dhe në komisariate do të ketë një shef komisariati, që ka në varësi shefin e rendit dhe shefin e krimeve, të cilët do të kenë nën kontroll pjesën tjetër të efektivëve. Ndryshimi i këtyre dy strukturave pritet të sjellë edhe emërime të reja, sidomos në qarkullimin rrugor, ku krijohen njësitë e reja në çdo qark.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›