Piramida, kartëmonedhat falsifikoheshin me fotokopje
Prokuroria e Tiranës ka zbardhur mënyrën e falsifikimit të kartëmonedhave të prerjeve 1000, 2000 dhe 5000 lekë të reja, ndërsa ka dërguar në gjykatë pesë persona të arrestuar gjatë operacionit të koduar “Piramida”. Sipas dosjes, makineritë që përdoreshin për falsifikim vinin nga shteti italian dhe ishin fotokopje cilësore. Pra, kartëmonedhat nuk kishin asnjë element sigurie, ndërsa përdorej letër cilësore dhe një fotokopje moderne. Përballë një aparati që verifikon falsitetin, kartëmonedhat dalloheshin menjëherë, ndërsa në pamje të parë ato dukeshin si gjithë të tjerat. Grupi hetimor i ngritur në njësinë Task-Forcë në kryeqytet ka zbuluar edhe mënyrën e shpërndarjes, ku qendra ishte rruga “5 Maji” në kryeqytet. Ndërsa të pandehurit janë: Dritan Elezaj, Altin Lalaj, Xhevair Koldashi, Ahmet Meçi dhe Gazmend çerpja. Akuza që rëndon ndaj këtyre të pandehurve është “prodhim të kartëmonedhave të falsifikuara”, “vënien në qarkullimit të tyre” dhe “falsifikim dokumentesh”. Sipas burimeve nga Task-Forca, pesë të pandehurit janë personat e parë nga 25 të ndaluarit e operacionit “Piramida”, ndërsa të pandehurit e tjerë do të dërgohen në gjykatë në ditët në vazhdim. Prokuroria ka preferuar të ndjekë këtë mënyrë për të mos ngarkuar çështjen gjatë procesit të gjykimit, duke ndarë edhe të pandehurit. Mësohet se ky grup kriminal vepronte në qytetet: Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Sarandë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër dhe Kukës. Këta shtetas, dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për më shumë se një vit kanë prodhuar kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 500, 1000, 2000, 5000 lekë të reja. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto kartëmonedha prodhoheshin në Tiranë në afërsi të rrugës “5 Maji”, ku nga kontrolli i kryer janë gjetur pajisjet e nevojshme për këtë prodhim të jashtëligjshëm. Të pandehurit kanë kryer shpërndarjen e kartëmonedhave të falsifikuara, kryesisht në Tiranë në qendrat spitalore dhe në subjekte e biznese private. Në “shtypshkronjën” e tyre u kapën: Shuma e parave prej 1.4 milionë lekësh, kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 1000, 2000, 5000 lekë të reja, kompjuter destop dhe kompjuter laptop, të cilat shërbenin për përpunimin e kartëmonedhave të skanuara, printer dhe skaner me rezolucion të lartë, të cilat shërbenin për printimin e prodhimin e tyre.
#