SHBA: Gati të ulim në tryezë Beogradin dhe Prishtinën
Nëse përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë përgatiten të ulen së bashku dhe fillojnë të ballafaqohen me zgjidhjen e shumë çështjeve teknike, Shtetet e Bashkuara do t’i përkrahin dhe janë të gatshme t’i lehtësojnë këto bisedime teknike, tha dje në Prishtinë ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ritheksojnë përkushtimin për integritetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, tha sot në Prishtinë ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon.
Këto komente, zyrtari amerikan i bëri pas takimit me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni. Gordon, i cili sot u takua edhe me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dhënë mbështetje edhe nisjes së bisedimeve teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke ofruar edhe ndihmën amerikane për lehtësimin e këtyre bisedimeve, nëse të dyja vendet pajtohen që të ulen dhe të bisedojnë.
“Nëse përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë përgatiten të ulen së bashku dhe fillojnë të ballafaqohen me këto çështje teknike, kjo është diçka e mirë dhe ne do t’i përkrahim”, tha Gordon, duke ofruar edhe ndihmën amerikane në rolin e lehtësuesit të këtyre bisedimeve teknike. Shtetet e Bashkuara, vijoi zyrtari amerikan, mbështesin integrimin e Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Europian. Ndërkaq, për Serbinë, ai tha se mendon që ky vend fillimisht duhet t’i zgjidhë dallimet në lidhje me Kosovën para se t’i bashkohet Bashkimit Europian. Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, tha se Kosova, duke i ditur raportet e brendshme politike në Serbi, nuk insiston që Beogradi në këtë fazë ta njohë zyrtarisht Kosovën. Por, sipas tij, këto dallime nuk do të duhej ta pengonin Serbinë që të ulet dhe të bisedojë me Kosovën si shtet fqinj për disa çështje që janë në interes të të dyja shteteve. “Ne nuk insistojmë që Serbia ta njohë zyrtarisht Kosovën. Por, mosnjohja zyrtare nuk duhet ta pengojë atë që me Kosovën të bisedojë si me një fqinj, me Kosovën të bisedojë si një vend me të cilin është e detyruar të jetojë në kufi, për çështje të ndryshme, të shumta, të interesit të ndërsjellë”.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të çonte mesazhe pozitive edhe në Ballkanin Perëndimor, edhe më tej në strukturat e BE-së dhe në strukturat e NATO-s”, tha Hyseni.
Një mesazh tjetër që zyrtari amerikan adresoi ishte mbështetja e ritheksuar për misionin e BE-së për sundim të ligjit - EULEX.
Gordon tha se Shtetet e Bashkuara janë pjesë e EULEX-it dhe do ta mbështesin këtë mision në luftimin e dukurive negative, si: krimi i organizuar dhe korrupsioni. “Korrupsioni nuk ka vend në këtë shoqëri. Nuk dua të përqendrohem në ndonjë rast specifik. Por, në përgjithësi, ne qëndrojmë pas EULEX-it, si mision që ka për qëllim të sigurojë sundimin e ligjit në Kosovë”, tha Philip Gordon. Zyrtari amerikan është pritur në një takim të përbashkët edhe nga Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës. Vizita e tij në Prishtinë është pjesë e raundit diplomatik edhe në disa vende të tjera të rajonit.
#