E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ecuri pozitive e procesit te privatizimeve

Të dhënat zyrtare tregojnë për një bum privatizimesh gjatë pesë muajve të parë të vitit 2012 . Nëse për të gjithë vitin 2011 u shitën prona publike me vlerë rreth 438 milionë lekë, vetëm në periudhën janar-maj të këtij viti, të ardhurat nga procesi i privatizimeve janë realizuar në shumën e 607 milionë lekëve ose 658 për qind më shumë se plani dhe 274 për qind më shumë se viti i kaluar, për të njëjtën periudhë, kur nga privatizimet u siguruan 162 milionë lekë. Ndërkohë, procesi po ecën me ritme të larta dhe shumë dosje janë drejt ekzekutimit. Ky nivel arkëtimesh ka tejkaluar edhe parashikimet e Ministrisë së Financave e cila kishte vlerësuar që në pjesën e parë të vitit të realizonte të ardhura jo më shumë se 80 milionë lekë. Në fillim të këtij viti  ministria e Ekonomisë ka deklaruar se qeveria synon përfundimin e privatizimit të 500 aseteve publike.  Plani është që 95 për qind e pronave shtetërore do të privatizohen. Sipas zyrtarëve të qeverisë, realizimi i këtij procesi do t’i shërbejë më shumë ekonomisë drejt liberalizimit të saj, duke i dhënë frymëmarrje të nevojshme sipërmarrjes private për të investuar. Sipas planit të qeverisë në rastet kur këto asete publike kanë pronarë, pronarit do t’i respektohet e drejta e parablerjes, ndërsa të tjerat të privatizohen në përputhje me rregullat e transparencën e plotë. Për Kryeministrin Berisha Shqipëria do ketë si pronë publike, digat e mëdha, shkollat, spitalet, parqet komëbtare e tokat pa pronarë, të tjerat do të jenë tërësisht në zotërimin, administrimin dhe menaxhimin e sektorit privat pasi kjo do ta bëjë ekonominë shqiptare shumë konkurruese.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›