E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dënuarit politik, ende në pritje të ndarjes së këstit të dytë

19/10/2011  Leka Hajdari: Aplikuan mbi 22 mijë vetë. Deri tani kanë marrë të hollat 5 mijë persona

Kësti i dytë për ish- të përndjekurit nuk ka nisur ende të shpërndahet. Sipas drejtorit të sektorit të dëmshpërblimeve pranë Ministrisë së Financave, Leka Hajdari, ende nuk ka përfunduar dhënia e parave të këstit të parë për ata persona dosjet e të cilëve janë miratuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas në qeveri. Sipas tij, nuk ka ardhur ende koha që ish-të persekutuarit politikë të tërheqin këstin e dytë të dëmshpërblimit. Kjo pasi nga 22 mijë dosje që janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë janë miratuar emrat e vetëm 10 mijë prej tyre, të cilët kanë qenë kryesisht të dënuar me burg. Ndërsa gjysma tjetër kanë mungesa në dokumentacione, pasi kanë qenë të pushkatuar, apo të internuar. Ministria e Drejtësisë është institucioni i vetëm që vlerëson dokumentacionin në dosjet personale dhe çon emrat për miratim në Këshillin e Ministrave.

Dhënia e dëmshpërblimeve

Drejtori i sektorit të dëmshpërblimeve, Leka Hajdari, shpjegon se, në vendimin e fundit të qeverisë është theksuar se kësti i dytë nuk mund të nisë pa rivlerësuar dëmshpërblimin për të gjitha dosjet. Nga 10 mijë personave që ju janë miratuar emrat, vetëm 5 mijë prej tyre e kanë tërhequr dëmshpërblimin. Kjo pasi nuk arrijnë të plotësojnë dosjen dhe dokumentacionin e duhur pranë sektorit të ndarjes së dëmshpërblimeve pranë Ministrisë së Financave. Sipas të dhënave të këtij dikasteri, plot 1,4 miliardë lekë janë shpërndarë deri në fund të muajit gusht. Fondi që do të akordohet për këtë kategori përfituesish deri në fund të vitit është 1,8 miliardë lekë, me qëllim përfitimin e këstit të parë. Që do të thotë se deri tani rreth 78 për qind e parave të planifikuara kanë shkuar në duart e përfituesve. Ky proces po ecën me ritme të suksesshme, ndërkohë që sektori i pagesave të dëmshpërblimeve për ish-të dënuarit politikë pranë Ministrisë së Financave pothuajse dy herë në muaj miraton listat me emrat e përfituesve, për të cilët verifikohen të dhënat dhe dokumentacioni i plotësuar, rast pas rasti, nëse është vetë përfitues apo nëse ka trashëgimtarë të tjerë. Shuma e të hollave mund të tërhiqet nga vetë ish-të dënuarit ose në rast se ata nuk jetojnë më, ajo tërhiqet vetëm nga familjarët e tij si bashkëshorti/ja ose fëmijët. Nëse asnjë prej tyre nuk është gjallë, fondet i kthehen buxhetit të shtetit. Depozitat bankare që çelen në emër të ish-të dënuarit politikë bëhen të disponueshme brenda një jave nga çelja e tyre.

Vendimi i qeverisë

Sipas ligjit, dhënia e dëmshpërblimit do të bëhet në 8 këste, duke dhënë çdo vit nga një këst. Në çdo rast, vlera e këstit të dëmshpërblimit është jo më e vogël se 100 mijë) lekë dhe jo më e madhe se 1 milion lekë. Kush ka përfituar këstin e parë më herët, do të marrë edhe këstin e dytë. Qeveria ka miratuar radhën e ndarjes së këstit të dytë e me radhë deri te kësti i tetë, me anën e një vendimi që në muajin prill. Kësti i dytë për ish-të përndjekurit është premtuar të ndahet këtë vit, pasi të ketë përfunduar ndarja e të hollave për gjithë ish-të përndjekurit që kanë aplikuar. Me këtë vendim është përcaktuar skema e shpërndarjes së kësteve të dëmshpërblimit, sipas së cilës afati i shpërndarjes së këstit të dytë, fillon pas përfundimit të miratimit të plotë të dëmshpërblimit për të gjithë ish-të dënuarit politikë.

Këstet dhe pagesa

Pagesa e kësteve, duke filluar nga kësti i dytë, do të bëhet sipas radhës kronologjike të kryerjes së pagesës së këstit të parë, me përjashtim të ish-të dënuarve politikë, të cilët janë mbi 65 vjeç dhe vuajnë nga sëmundje të rënda. Për këstet e tjera, afati i shpërndarjes fillon një muaj pas përfundimit të pagesës së këstit të mëparshëm për të gjitha subjektet përfituese. Më konkretisht kësti i tretë fillon një muaj pas ndarjes së këstit të dytë për çdo përfitues, kësti i katërt fillon një muaj pas përfundimit të pagesës së këstit të tretë për të gjithë përfituesit e kështu me radhë deri te kësti i tetë. Ky vendim u referohet të dënuarve politikë, të cilët kanë vuajtur dënimin me burgim, izolim në hetuesi ose në spital psikiatrik, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, për familjarët e viktimave, të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht, me gjyq ose pa gjyq, për motive politike, nga data 30.11.1944, deri më 1.10.1991, si dhe për të dënuarit politikë, të cilët kanë vuajtur dënimin me internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›